Sport

Heshtja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së pas akuzave të rënda

Komiteti Ekzekutiv është organ i rëndësishëm i Federatës së Futbollit të Kosovës. Pas Kuvendit është organi më i lartë.

Ka 13 anëtarë, në bazë të statutit, prej tyre tre nënkryetarë. Në krye të Komitetit është kryetari i FFK-së që zgjidhet në Kuvendin Zgjedhor nga delegatët.

Shtatë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv janë përfaqësues të rajoneve të Kosovës, Prishtinës, Pejës, Mitrovicës, Gjakovës, Ferizajt, Gjilanit dhe Prizrenit. Një nënkryetar është i komuniteteve, kurse tre anëtarë të KE-së emërohen nga kryetari.

Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, përveç kryetarit Agim Ademi, janë edhe Bakir Burri (nënkryetar), Agim Dibrani (nënkryetar), Predrag Joviq (nënkryetar), Vjollca Krasniqi, Xhelal Broja, Ilaz Mjaku, Mirsad Çollaku, Flamur Bunjaku, Naser Ajeti, Agim Nura dhe Ismail Ajeti.

Mandati i tyre në bazë të statutit është katërvjeçar.

Në prag të zgjedhjeve për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës, ish-sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, hodhi akuza të rënda në drejtim të Komitetit Ekzekutiv dhe të kryetarit Agim Ademi.

Sipas Salihut, anëtarët e KE-së vetëm e ngritin dorën, marrin paga dhe nuk marrin asnjë përgjegjësi. Salihu insistoi se ata janë në shërbim ekskluziv të kryetarit Ademi.

“Kjo është autokraci. Nëse Komiteti Ekzekutiv nuk ka kurrfarë përgjegjësie, me bindje të plotë po e them se kurrfarë përgjegjësie nuk ka, por do të marrin përgjegjësi edhe ata nëse dalin në shesh disa gjëra, e të cilat do të dalin. Ata duan të marrin rrogën aty, edhe pse nuk u takon anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv rroga. Janë njerëz të mirë, por përgjegjësinë e kanë zero. Ata e ngritin dorën çka t’u thotë Agimi”, ka thënë Salihu të dielën e kaluar në “Sportin Total” të KTV-së.

Ditë më vonë, Salihu u suspendua për gjashtë muaj nga FFK-ja. Ai mban dy pozita në federatë.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga FFK-ja në lidhje me këto akuza. Por, Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkohë gjatë të enjtes KOHA ka tentuar të flasë me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.

Vetëm Xhelal Broja, Agim Dibrani dhe Bakir Burri e kanë hapur telefonin.

Xhelal Broja ka thënë se kanë vendosur që të mos flasin deri në zgjedhjen e kryetarit. Ai ka refuzuar të përgjigjet në akuzat publike të Eroll Salihut.

“Deri në zgjedhje nuk do të flasim. Nuk ka vendim, por jemi marr vesh që të mos flasim. Ka akuza të shumta, por ato duhet të vërtetohen. Unë mund të flas, por nuk dua”, është shprehur Broja, që përfaqëson regjionin e Mitrovicës dhe nuk ka dhënë ndonjë qëndrim publik ndonjëherë për çështje të rëndësishme të futbollit kosovar.

Nënkryetari Agim Dibrani po ashtu ka shmangur përgjigjen për akuzat.

“Është zyra për media të cilës duhet t’i drejtoheni. Është vendimi i Komitetit Ekzekutiv dhe aty duhet të drejtoheni për të marrë përgjigje. Unë jam ithtar i bashkëpunimit me gazetarët, por duhet të drejtoheni te zyra e mediave”, ka thënë Dibrani.

Nga zyra për media, KOHA ka kohë që nuk merr përgjigje, me gjithë pyetjet e vazhdueshme.

Muajin e kaluar Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mori vendim që askush në federatë të mos ketë të drejt të flasë në media pa lejen e drejtuesve të shtëpisë së futbollit kosovar.

KOHA merr vesh se paga e një anëtari të Komitetit Ekzekutiv e kalon shifrën e 700 eurove në muaj. Ata marrin edhe mëditje në udhëtimet që i kanë jashtë vendit. Shoqërimi i ekipeve përfaqësuese në aktivitetet jashtë vendit është prej aktiviteteve kryesore të tyre, pa llogaritur mbledhjet e rregullta.

Kuvendi Zgjedhor për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës është caktuar të mbahet më 6 prill. Vendimi i Komitetit Ekzekutiv është kundërshtuar dhe është cilësuar si i jashtëligjshëm nga Eroll Salihu dhe kandidati për kryetar të FFK-së, Arianit Ahmeti.

Kuvendi do të mbahet vetëm për kryetar, kurse për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv do të mbahet pas dy vjetësh.