Reprezentuesi i Kosovës, Deniz Terziqi, do të jetë pjesë e KH Besa Famgas për sezonin e ri. Terziqi është përforcimi i parë i Besës dhe njëri prej më të mirëve në Kosovë.
Njoftimin për angazhimin e Terziqit, e ka bërë të ditur Besa Famgas në “Facebook”.
Sezonin e kaluar, Terziqi ishte pjesë e skuadrës së Prishtinës.
“Jemi në vlugun e punëve për ta kompletuar ekipin për edicionin e ri. Ashtu si i ka hije Besa Famgasit, do ta formojmë një ekip kompetitiv për ta vazhduar dominimin në nivelin vendor dhe për të bërë hapa tutje në Evropë. E fillojmë me bindshëm më të mirin në pozitën e tij dhe njërin prej më të mirëve në Kosovë në dekadën e fundit. Është Deniz Terziqi që do ta vesh fanellën e rëndë të klubit tonë në edicionin e ardhshëm. Rrugët e skuadrës më të mirë me bekun më të mirë janë bashkuar më në fund dhe së bashku do kërkojmë suksese të reja”, thuhet në njoftimin e Besës.
Në fakt, të hënën ka përfunduar edhe afati i rregullt kalimtar në hendbollin Kosovar që ishte i hapur prej datës 16 korrik. Numri i kërkesave për ndërrim të skuadrës ishte solid gjatë afatit kalimtar veror, sipas Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK).
Prej Besës te Prishtina ka paraqitur kërkesë për të kaluar Ylli Visoka. Trepça prinë te hendbollistët me katër kërkesa, e përcjellë nga Ulpiana me tri dhe Vushtrria e Rahoveci me nga dy. Lëvizje ka pasur edhe te femrat, ku Tina Hetemi nga Istogu ka paraqitur kërkesë për të kaluar te Prishtina. Kampionia, Vushtrria, ka paraqitur tri kërkesa, Shqiponja shtatë, kurse Ferizaj tri.