Ekipi i Universitetit të Prishtinës ka fituar Kupën Botërore Universitare në Hendboll në konkurrencë të meshkujve. Të dielën mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, hendbollistët kosovarë fituan finalen ndaj ekipit universitar nga Koreja e Jugut me rezultatin 33:30.
Hendbollistët e UP-së kanë qenë në epërsi të vazhdueshme në pjesën e dytë, por edhe në shumicën e kohës në pjesën e parë.
Megjithatë, hendbollistët nga Universiteti Nacional i Koresë së Jugut nuk janë dorëzuar për asnjë moment. Me lojë të shpejtë dhe mbrojtje thuajse në gjithë fushën, kanë kërkuar fitoren deri në fund.
Ndeshja ishte interesante, ndërsa hendbollistët kosovarë kanë pasur përkrahje të madhe nga tribunat. Në tribuna ishte edhe kryeministri Albin Kurti.
Vendin e tretë e zuri universiteti që përfaqësoi Spanjën.
Universiteti i Prishtinës ka fituar të gjitha ndeshjet dhe në fund ka siguruar vendin e parë. Gjatë gjithë garës, Drenit Tahirukaj ishte prej më të dalluarve. Ai në finale i realizoi dhjetë gola.
“Kemi besuar se mund ta fitojmë këtë kampionat. Jemi një gjeneratë që jemi katër vjet së bashku dhe mendoj që favorit ishim që nga fillimi. Të them të drejtën ishte pak e vështirë, kemi pasur rivalë me lojën e njëjtë, por besoj që nuk ishte edhe aq e vështirë. Mendoj që triumfi ishte shumë i rëndësishëm jo vetëm për ne, po për të gjithë Kosovën”, ka thënë Tahirukaj.
Në finale është shquar edhe portieri Arti Luzha.
Në të vërtetë, Tahirukaj është prej lojtarëve kryesorë edhe te Përfaqësuesja e Kosovës. Në ekipin e UP-së ishin disa reprezentues të Kosovës e shumë të tjerë vlerësohen kandidatë për vend në Përfaqësuese. Luzha është prej kandidatëve.
“Nga dita e parë që kemi ardhur kemi pasur vetëm një synim - fitoren e këtij kampionati dhe ia arritëm një gjëje të tillë. Finalja ka qenë pak më e lehtë sesa e kemi menduar, por çdo finale e ka rëndësinë e vet. Çdo finale nuk luhet, por fitohet, ne kemi arritur të dalim faqebardhë”, ka theksuar Luzha.
Te hendbollistet, titullin e kampionit e ka fituar ekipi i Universitetit Sportiv nga Koreja e Jugut. Jugkoreanet fituan finalen ndaj universitetit që përfaqësoi Spanjën me rezultatin 32:22.
Universiteti i Prishtinës ka zënë vendin e tretë duke mposhtur universitetin nga Çekia. Edhe për UP-në kanë luajtur hendbolliste të Përfaqësueses së Kosovës.
Te hendbollistet ishin vetëm gjashtë skuadra, ndërsa te hendbollistët ishin tetë.