Sport

Hendbollistët e Kosovës udhëtojnë për fitore në Turqi

Prishtinë, 1 nëntor - Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll tash e disa ditë po zhvillon përgatitjet për ndeshjet e fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2023.

“Dardanët” ndeshjen e parë do ta luajnë në udhëtim ndaj Turqisë.

Hendbollistët kosovarë kanë hasur në vështirësi të stërviten, pasi kanë pasur probleme me palestrat të cilat ishin të zëna. Fillimisht Kosova nisi me përgatitje në Mitrovicë, kurse të hënën është stërvitur në Prishtinë.

Kjo ka bërë që lojtarët të udhëtojnë nga disa orë për të kryer përgatitjet para ndeshjes së rëndësishme.

Megjithëkëtë, atmosfera në ekip ishte jashtëzakonisht e mirë. Hendbollistët të martën në mëngjes udhëtojnë për në Turqi, ndërsa ndeshja është të mërkurën pasdite.

“Kemi hasur në vështirësi për t'u përgatitur pasi na është dashur të stërvitim në Mitrovicë dhe kemi bërë shumë rrugë. Kemi hasur në probleme organizative jashtëzakonisht të mëdha. Por përkundër kësaj kam lëvdata për lojtarët pasi angazhimi ka qenë maksimal, ani pse kemi bërë rrugë dhe kemi hasur në probleme. I kemi tejkaluar së bashku dhe jemi munduar të fokusohemi në punën që na pret për këto dy ndeshjet e ardhshme. Jemi të kompletuar, niveli i ushtrimeve ka qenë jashtëzakonisht i lartë. Atmosfera ndërmjet lojtarëve është për çdo lëvdatë dhe besoj se jemi përgatitur mirë për këtë takim”, ka thënë selektori i Kosovës, Bujar Qerimi.

Trajneri Qerimi ka folur për ambiciet e Kosovës në këtë grup, në të cilin bëjnë pjesë edhe Belgjika dhe Greqia.

“Turqinë e njohim pasi edhe në të kaluarën kemi luajtur ndaj saj. Kemi parë ndeshje të ndryshme dhe e kemi analizuar. Gjasat në këtë grup në përgjithësi janë të hapura. Katër ekipet jemi përafërsisht të barabarta dhe besoj që nuk ka favorit në grupin tonë. Besoj në rezultat pozitiv të cilin do ta shohim pas ndeshjes dhe shpresoj të jetë në të mirën tonë”, ka shtuar Qerimi.

Optimistë para takimit me Turqinë janë shprehur edhe kapiteni Valon Dedaj dhe lojtari kryesor i mbrojtjes, Bujar Ramosaj.

Të dy hendbollistët, që bëjnë karrierë në Zvicër, shpresojnë në paraqitje sa më të mira në dy ndeshjet e këtij muaji. Kosova të dielën e pret Belgjikën.

“Atmosfera është fantastike dhe jemi duke kryer përgatitjet e fundit para ndeshjes me Turqinë. Deri më tani ka shkuar gjithçka siç është më së mirë dhe jemi duke punuar shumë që të jemi të gatshëm për këtë takim. Shpresoj të arrijmë rezultat pozitiv në duelin me Turqinë pasi dihet që edhe ata kanë disa mungesa për këtë takim. Nëse e japim maksimumin besoj se mund të arrijmë fitore në këtë përballje”, është optimist Dedaj.

“Tash e disa ditë kemi nisur përgatitjet për takimin e parë ndaj Turqisë. Mund të them se është një atmosferë shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë duke e dhënë maksimumin që të përgatitemi sa më mirë për këtë duel. Grupi nuk është edhe aq i lehtë, mirëpo përpjekjet tona janë që të jemi sa më lart. Ndeshja e parë do të jetë ndaj Turqisë, ne do të hyjmë për fitore, mirëpo çfarë do të ndodhë do ta shohim pas ndeshjes”, thotë Ramosaj.

Synimi i Kosovës në këto kualifikime është njëri prej dy vendeve të para në grup dhe avancimi tutje. Katër ndeshjet e tjera, duke përfshirë dy me Greqinë, janë gjatë janarit.