Hendbollistet e Përfaqësueses së Kosovës vlerësojnë se kanë kryer me sukses përgatitjet për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror. Me sukses synojnë t’i mbyllin edhe dy ndeshjet për të avancuar nga faza e parë kualifikuese të Botërorit që mbahet vitin e ardhshëm.
Hendbollistet e Kosovës janë vendosur të enjten në Genk, pas fazës përgatitore në Luksemburg, ndërsa të premten në Hasselt, luajnë ndaj Belgjikës nga ora 20:00. Dhe sipas selektorit Agron Shabani, synimi është kalimi në fazën e dytë kualifikuese të Botërorit 2025.
“Patëm një përgatitje të shkurtër, por intensive. E kemi analizuar kundërshtarin e nesërm. Po shpresojmë që me angazhimin tonë, edhe e kalojmë. Kundërshtari nuk është i njohur në Evropë. Por i ka disa lojtarë që janë të nivelit deri diku si tonat. Por shpresoj që me lojën tonë, me angazhimin tonë, mund t’i tejkalojmë”, ka thënë Shabani.
Te Kosova presin përkrahje nga shqiptarët në Belgjikë dhe vendet e tjera evropiane. Pas ndeshjes kundër Belgjikës, Kosova të shtunën do të përballet me Bosnjë-Hercegovinën.
Kapitenia e Kosovës, Leonora Demaj, është e bindur se suksesi nuk do t’u mungojë në ndeshjet kundër Belgjikës dhe Bosnjë-Hercegovinës.
“Besoj që jemi gati, kemi ushtruar shumë mirë. I kemi pasur disa stërvitje shumë të mira. Atmosfera është shumë e mirë në ekip”, është shprehur Demaj.
Forma e Demajt dhe lojtareve të tjera të Kosovës në klubet e tyre jep shpresë të madhe për sukses në këtë cikël kualifikues. Atmosfera vlerësohet po ashtu e mirë nga Federata e Hendbollit e Kosovës.
Lojtaret e Kosovës premtojnë angazhim maksimal në dy përballjet.
“Nesër e kemi lojën me Belgjikën dhe shpresojmë që ta japim maksimumin e të marrim fitore”, ka thënë Marigona Hajdari.
12 përfaqësueset e ndara në katër grupe do ta kërkojnë avancimin në fazën e dytë kualifikuese. Kosova është në Grupin 2. Fituesit e grupeve e sigurojnë plejofin. Më pas, nëpërmjet plejofit, skuadrat do ta kenë rastin të paraqiten në Kampionatin Botëror që do të organizohet në Holandë dhe në Gjermani. Nga gjitha 12 skuadrat e fazës së parë kualifikuese, vetëm Bullgaria dhe Italia kanë luajtur në Kampionatin Botëror më herët. Hera e fundit kur bullgaret janë paraqitur në ngjarjen globale ishte në vitin 1990, kurse Italia ishte paraqitur në vitin 2001. Në edicionin e fundit kualifikues të Kampionatit Botëror, në vitin 2023, Kosova, Italia dhe Greqia, arritën që të kualifikoheshin në fazën e dytë. Por, Kosova nuk e kishte përvojën e duhur për t’u përballur me Poloninë. Italia ishte eliminuar nga Sllovenia, derisa Greqia nga Gjermania.