Sport

Hendboll, në Rahovec ndeshja më interesante

Ndeshja mes Rahovecit dhe Vëllaznimit pritet të jetë më interesantja në javën e tretë të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Kjo ndeshje është të dielën nga ora 18:00 në palestrën “Mizahir Isma”.

Rahoveci për herë të parë po luan në elitë, por vlerësohet se ka sjellë risi me organizimin e bërë dhe po ashtu e ka forcuar garën. Rahoveci e fitoi ndeshjen e parë ndaj Deçanit e më pas pësoi humbje të pritur nga Besa Famgas. Ndërkohë Vëllaznimi i Gjakovës humbi ndeshjet e forta me Trepçën dhe Prishtinën. Gjakovarët udhëtojnë për pikët e para, por Rahoveci ka plane të tjera.

Të dielën është edhe ndeshja mes Drenicës e Llapit (17:00). Tri ndeshjet që luhen të shtunën janë: Deçani – Besa Famgas (17:00), Trepça – Zhegra (18:00), Prishtina – Kastrioti (18:30).

Te hendbollistet ndeshja e parë e javës së tretë është luajtur të premten. Kampionia, Vushtrria, ka fituar ndaj Kastriotit në Ferizaj me shifrat 34:25. Të shtunën janë ndeshjet Ulpiana – Jusuf Gërvalla (13:00), Prishtina – Vëllaznimi (14:30), Ferizaj – Istogu (19:00). Drita – Vjosa (16:00) dhe Samadrexha – Shqiponja (17:00) janë ndeshjet e së dielës.