Sport

Hendboll, Kosova mposhtet ngushtë nga Turqia

Hendbollistët e Përfaqësueses së Kosovës kanë startuar me humbje në eliminatoret e Kampionatit Botëror të vitit 2023.

Në ndeshjen e parë të fazës së parë kualifikuese, Kosova është mposhtur të mërkurën në udhëtim nga Turqia. Dueli i luajtur në Eskishehir ka përfunduar me shifrat 25:23 në të mirë të ekipit vendas.

Përkundër që nuk e nisi mirë ndeshjen, Kosova u rikthye dhe pjesën e parë e mbylli me vetëm një gol disavantazh (15:14). Ndërkohë, në pjesën e dytë hendbollistët e Turqisë, jo vetëm që mbajtën epërsinë prej një gola, por e fituan ndeshjen me avantazh prej dy golave. Gorkem Biçer ishte më i dalluari te Turqia me shtatë gola të shënuar, ndërsa te Kosova, Egzon Gjuka pati gjashtë gola, i përcjellë nga Deniz Terziqi (5) e Kastriot Jupa (4). Ndeshjen e radhës, Kosova e luan të dielën në Prishtinë kundër Përfaqësueses së Belgjikës. Pjesë e grupit të Kosovës është edhe Greqia. Katër ndeshjet e tjera, duke përfshirë dy me Greqinë, janë gjatë janarit të vitit të ardhshëm.