Sport

Hendboll, Kosova humb për një gol nga Greqia

Drilon Tahirukaj në aksionin e fundit e qëlloi shtyllën, ndërsa Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll e humbi ndeshjen për një gol nga Greqia. Në duelin e luajtur në Prishtinë në kuadër të fazës së parë kualifikuese për Botërorin e vitit 2023, Greqia triumfoi me rezultatin 21:20.

Për Kosovën, kjo ishte ndeshja e parë përballë Greqisë dhe vendimtare për këto kualifikime. Zhgënjimi ishte i madh te hendbollistët e Kosovës, të cilët para ndeshjes ishin të bindur se do ta regjistronin fitoren e parë në këto kualifikime. Tani kanë dy humbje karshi një barazimi në tri ndeshje të luajtura. Krahas Greqisë, Kosova ka pësuar edhe nga Turqia derisa kanë barazuar me Belgjikën dhe ka vetëm një pikë të tubuar në grup, në të cilin synon një prej dy vendeve të para për të siguruar kalimin në fazën tjetër. E kjo varej shumë nga dueli me Greqinë, që nuk arriti ta fitonte. Me këtë triumf Greqia forcohet në krye të grupit me gjashtë pikë të grumbulluara.

“Dëshira për fitore nuk mungoi. Kthimi në pjesën e dytë e dëshmon këtë. Në momente na mungoi qetësia që në ndeshje të forta si kjo me Greqinë mund të jetë vendimtare. Na presin edhe tri finale, e para të dielën në udhëtim po me Greqinë. Kritikat i pranojnë dhe premtojmë angazhim edhe më të madh”, ishte postimi i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) në Facebook pas disfatës së ngushtë nga Greqia.

Në fakt, Kosova ishte shumë më e mirë në pjesën e dytë, të cilin e nisi me një disavantazh prej katër golave. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 13:9 në favor të grekëve. Hendbollistët e përzgjedhësit Bujar Qerimi në pjesën e dytë arritën që në disa raste ta barazonin rezultatin, por jo edhe në aksionin e fundit kur Tahirukaj ishte i pafat duke e qëlluar shtyllën. Më i dalluari në këtë ndeshje te Kosova ishte Valon Dedaj. Dedaj e mbylli duelin me shtatë gola të shënuara nga tetë tentime. Drenit Tahirukaj shënoi pesë gola, i përcjellë nga Egzon Gjuka (4) e Deniz Terziqi (3), por që nuk mjaftuan për ta evituar disfatën e dytë në kuadër të këtyre kualifikimeve.

“U munduam që të kthehemi në lojë dhe t’i përmirësojmë gabimet e pjesës së parë dhe ia arritëm, por kishim shumë topa të humbur në fazën ofensive dhe kjo na kushtoi në fund. Jemi të dëshpëruar, sepse ishim të bindur për sukses, por nuk dorëzohemi, kemi përpara tri ndeshje dhe duhet t’ fitojmë të tria pasi kemi potencial që ta arrijmë këtë sukses”, ka thënë Kastriot Jupa, i cili ndeshjen e përfundoi me një gol të realizuar.

Te Greqia më shumë se gjysmën e golave i shënuan dy hendbollistë. Charalaampos Mallios e Ioannis Kalomoiros ishin më efikasit me nga gjashtë gola të shënuara secili.

Kosova të dielën e luan edhe ndeshjen e dytë ndaj Greqisë, në udhëtim, derisa më 12 janar luan me Turqinë në Prishtinë. Ndeshja e fundit është më 15 janar me Belgjikën në udhëtim. Përfaqësuesja e hendbollit në muajin e shkuar i ka filluar përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të këtij muaji. Në dhjetor i ka luajtur dy ndeshje miqësore me Kuvajtin në Mal të Zi, të cilat i ka fituar.

“Menjëherë do ta analizojmë ndeshjen dhe gabimet tona, kemi shumë gjera për të përmirësuar dhe nëse i eliminojmë disa gabime që i bëmë në ndeshjen e parë sigurisht që në Greqi do të jemi triumfues. Kemi ekip që mund ta arrijë suksesin në Greqi sepse jemi në të njëjtin nivel sikurse ekipet e tjera në grup”, paralajmëroi Jupa.

Hendbollistët e Kosovës vitin e kaluar kanë pasur disa rezultate të mëdha. Ka bërë bujë fitorja ndaj Rumanisë në Bukuresht. Suksese të reja synohen në katër ndeshjet kualifikuese të janarit.