Sport

Haxhihamza, portieri jo vetëm i penalltive

Kenan Haxhihamza u konfirmua të mërkurën si portier që ndal shumë penallti. Në listë i shtoi dy pritje të goditjeve nga pika e bardhë.

Skuadra e tij, Dukagjini, e fitoi 1:0 ndeshjen e mbetur të xhiros së 12-të të Superligës, në udhëtim ndaj Llapit.

Iljasa Zylfiu shënoi golin e fitores, por Haxhihamza u vlerësua “hero” i ndeshjes. “Pavarësisht dy penalltive, hero i joni ishte Haxhihamza. Të gjithë bënë maksimumin”, ka thënë trajneri Armend Dallku.

Haxhihamza në formë priti penalltitë në fund të pjesëve. Fillimisht ndali goditjen e Gerhard Prognit e më pas edhe të Ilir Krasniqit.

Prognit ia kishte ndalur edhe një penallti vendimtare në minutën e pestë shtesë në sezonin e kaluar në barazimin 1:1 të Dukagjinit me Gjilanin.

Haxhihamza ka pesë penallti të pritura. Mes shtyllave, në goditje nga pika e bardhë ishte dhjetë herë.

“Këto 10 penallti janë në kohën sa kam qenë pjesë e Ballkanit para dy sezonesh dhe tani te Dukagjini, nga edicioni i kaluar. E di se i kam pritur pesë penallti nga 10 gjithsej. Marr shënime për pritjet të cilat i bëj, por nuk i shkruaj asnjëherë kundërshtarët”, thotë Haxhihamza.

Haxhihamza thekson se punon shumë për të qenë në formën më të mirë. Për penalltitë thotë se janë më shumë dhunti.

“Po, ka të bëj me dhunti më shumë. Por një detaj tjetër është loja psikike që unë e bëj para se kundërshtari ta ekzekutojë penalltinë. Nuk e di se si ta shpjegoj këtë, por edhe po të mundja nuk do të jepja shumë detaje që të mos e marrin vesh kundërshtarët”, vazhdon me disponim të mirë portieri. “I përcjell të gjitha penalltitë që ekzekutohen në futbollin tonë. Kjo më bën që t’i njoh lojtarët pak më shumë”, shton Haxhihamza.

Dukagjini deri vonë në kampionat ka qenë i fundit në tabelë. Kishte seri prej tetë ndeshjeve pa fitore. Por, tri fitore, një barazim e një disfatë në pesë xhirot e fundit, kanë bërë që Dukagjini të ngjitet në tabelë.

Pas fitores ndaj Llapit, tani zë pozitën e tetë me 12 pikë nga 13 ndeshje.

“Merita është e të gjithëve sepse dhamë maksimumin. Pa modesti, ka pasur angazhim të jashtëzakonshëm. Unë prita penalltinë, Zylfiu shënoi dhe morëm pikët e plota. Kjo ka rëndësi më së shumti”, thotë Haxhihamza. Ai tërheq vërejtjen se pavarësisht sukseseve duhet pasur kujdes në vazhdim të kampionatit.

“Ne nuk duhet të gëzohemi me atë që kemi arritur deri më sot. Nuk mjafton. Duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm për t’u dhënë vlerë këtyre lojërave të fundit”, thotë portieri 25-vjeçar nga Rahoveci.

Haxhihamza karrierën e ka nisur te skuadra e Rahovecit. Për katër sezone luajti edhe te Gjilani.