Mesfushori Hamdi Namani të shtunën shënoi tre gola në fitoren e thellë të Dritës kundër Feronikelit me shifrat 7:0. Të gjithë golat futbollisti nga Podujeva i Dritës i realizoi në pjesën e parë.
Kjo ishte hera e parë që 27-vjeçari realizoi “hat-trick”.
“Ndihem shumë i lumtur që kam shënuar ‘hat-trick’ për herë të parë në karrierë, aq më tepër pasi jam mesfushor. Nuk është e lehtë dhe nuk ndodh shpesh kjo”, ka thënë Namani të hënën për KOHËN.
Ai është pjesë e Dritës së Gjilanit që nga vera e vitit 2019. Ishte transferuar nga Llapi.
Dy vjet e gjysmë te Drita kanë bërë që Namanit t’i duket që tërë karrierën e ka kaluar tek “Intelektualët”.
“Te Drita kam ardhur para dy vjet e gjysmë, mirëpo aq mirë jam ambientuar saqë më duket që kam gjithë karrierën që luaj këtu. Kam kaluar periudhë fantastike këtu dhe një forme shumë të mirë individuale dhe ekipore. Kam luajtur diku në 90 për qind të ndeshjeve. Kam shënuar 15 gola dhe kam bërë edhe pesë asistime”.
Periudhën e deritashme te Drita, Namani e vlerëson të suksesshme. Ka fituar titullin e kampionit dhe ka luajtur në gara evropiane.
“Ndeshjet ndërkombëtare janë shumë të veçanta, një përvojë e mirë për çdo futbollist. Kam pasur fatin të luaj shumë ndeshje të tilla me Dritën dhe ndihem shumë mirë që kam plotësuar këtë ëndërr. Por, tani ëndrrat janë edhe më të mëdha”, shprehet Namani.
Ai vlerëson se Drita ka ekip që të luftojë për titullin e kampionit dhe për Kupën e Kosovës.
“Qysh në vitin e parë këtu jemi shpallur kampion, mirëpo ambiciet e klubit janë gjithmonë e me të mëdha. Këtë vit ne do të luftojmë për të dy trofetë, sepse kemi skuadër që ka forcë të luftojë për çdo titull. Drita është klub shumë serioz, gjithmonë me ambicie të larta dhe i rrethuar me njerëz shumë profesionistë të cilët e bëjnë një klub korrekt dhe te suksesshëm. Gjëja që me bën përshtypje te Drita është pasioni i tifozëve për skuadër. Më të vërtetë janë të veçantë”.
Hamdi Namani, që të gjithë e quajnë Lum, është rritur si lojtar te Llapi. Me ekipin llapjan ishte inkuadruar në Superligë, ku kishte luajtur për disa vjet.
Në fundjavë ai do të përballet me ish-skuadrën. Thotë se do të kërkojnë vetëm fitore.
“Gjithmonë është ndeshje e veçantë kur luan ndaj skuadrës ku je rritur dhe formuar. Ne kemi respekt të madh dhe raport shumë të mirë mes vete. Unë pres që ta fitojmë takimin edhe pse e dimë që do të jetë shumë i vështirë. Llapi është skuadër shumë kualitative. Do të jetë ndeshje shumë e mirë”, theksoi Namani.
Ai të hënën u shpall lojtari më i mirë i xhiros së 19-të nga FFK-ja. Namani ka qenë pjesë e Kosovës U21.
Pas 19 xhirove të luajtura, Drita është lidere me 37 pikë, një më shumë se Ballkani dhe Gjilani.