Më shumë se 120 shtete tashmë janë në listën e vendeve që kanë siguruar norma olimpike për “Parisi 2024”. Në këtë listë të gjatë është Shqipëria, por jo edhe Kosova. Në fakt, Kosova ka shumë xhudistë që aktualisht janë brenda zonës që siguron normë për Lojërat e ardhshme Olimpike Verore. Por normat në xhudo publikohen vetëm në fund të ciklit kualifikues, pak javë para Olimpiadës, dhe rrjedhimisht Kosova nuk është në listën e shteteve që kanë sportistë të kualifikuar për “Parisi 2024”.
Normat e shumta të xhudistëve kosovarë nuk janë diçka e re. Brengosëse është që tetë muaj para Lojërave Olimpike të Parisit, në Kosovë as që po përmenden normat. Federatat sportive, por me gjasë edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, duket se janë pajtuar që nuk do të fitojnë norma për Lojërat e ardhshme Olimpike. Këtu natyrisht përjashtim bën xhudoja. Pos xhudos, boksi vlerësohet i vetmi sport në Kosovë që jep shpresë për ndonjë normë. Deri më tani nuk ia kanë dalë as boksierët, por ata kanë edhe disa mundësi. Donjeta Sadiku e Shpëtim Bajoku vlerësohen me gjasa të mëdha. Normat olimpike sigurohen me sukses në ngjarjet e mëdha sportive, ndërsa disa sporte kanë edhe gara të veçanta kualifikuese.
Në sportet e tjera normat momentalisht as që bëhen llaf. Në shumicën e sporteve individuale normat vetëm sa janë larguar në krahasim me “Tokio 2020”. Sigurimi i normës në sportet ekipore nuk është fare në horizont për Kosovën.
Ka pasur shpresë se gjërat do të lëvizin pozitivisht në disa sporte. Në atletikë, për shembull. Not po ashtu. Apo edhe në sporte të tjera luftarake, pos xhudos. Kjo, megjithatë, nuk ka ndodhur dhe gjasat që të ketë ndonjë ndryshim radikal në pjesën e parë të vitit 2024 janë gjithnjë e më të vogla.
Ndërkohë po rritet mundësia që xhudoja të jetë sporti i vetëm që do të ketë sportistë të kualifikuar për “Parisi 2024”. Kosova do të përfaqësohet edhe në sporte të tjera, por me shumë mundësi vetëm me ftesa. Paraqitja me normë dhe paraqitja me ftesë paraqet dallim shumë të madh, ndonëse që të gjithë një ditë do të mburren se ishin olimpistë.
“Dihet që niveli i sportit të një vendi matet edhe me normat olimpike të fituara. Ne në xhudo po punojmë që numri i normave olimpike të jetë sa më i madh. Fatkeqësisht po vërej që pak po flitet për këtë temë, për temën e normave olimpike në organizatat e tjera sportive. Kjo po më duket pak shqetësuese”, ka thënë për KOHËN Driton Kuka, trajner i Kosovës në xhudo.
Nxënëset e tij kanë fituar tri medalje të arta olimpike. Natyrisht, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi fillimisht siguruan normat, më pas medaljet e arta në ngjarjen kryesore sportive.
“Shpresoj që dikush prej boksit t’i bashkëngjitet xhudos. Në sportet e tjera nuk po shoh që ka diçka serioze në këtë drejtim. Ndërkohë që Lojërat Olimpike janë në derë. Jemi vetëm disa muaj larg ngjarjes kryesore sportive”, ka shtuar Kuka.
Prej xhudos në zonën që siguron normën olimpike janë Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka. Pra, pesë sportistë gjithsej. Vetëm Loriana është në zonën që siguron normën përmes kuotës kontinentale. Të tjerët i kanë normat thuajse të konfirmuara. Gjasat janë të mëdha që të paktën dy xhudiste të jenë në Paris si bartëse të para në kategori. Natyrisht xhudoja kosovare synon medalje në Paris, njëjtë si në Tokio 2020 e Rio 2016.
Për këtë qëllim të madh, trajneri Kuka dhe ndihmësit e tij, Majlinda Kelmendi e Fatos Tabaku, janë duke punuar shumë.
Ka një dekadë që xhudoja kosovare është “botë tjetër” sa i takon nivelit të përfaqësimit ndërkombëtar, në krahasim me sportet e tjera në vend.
Telashet e brendshme, si ato në not për shembull, vlerësohet se po e frenojnë zhvillimin e sportit kosovar, nëse ka zhvillim gjithsesi.
Lojërat Olimpike “Parisi 2024” do të mbahen prej 26 korrikut deri më 11 gusht të vitit të ardhshëm. Do të garojnë 10 mijë e 500 sportistë, ndërsa rreth dhjetë prej tyre do të jenë nga Kosova. Me shumë gjasë Kosova do të ketë në Paris më pak sportistë se në Tokio, ku u prezantua me 11 sportistë. Gjashtë prej tyre ishin me normë, dy me ftesë të komisionit trepalësh dhe tre me ftesë për universalitet. Për Paris, Kosova nuk do të ketë ftesa nga komisioni trepalësh.
Pritjet e Komitetit Olimpik të Kosovës, si organizatë përgjegjëse, por edhe të gjithë Kosovës, do të jenë te xhudistët. Dështimet në sportet e tjera do të kalojnë në heshtje dhe pa ndonjë analizë apo reagim. Njëjtë si pas “Rio 2016” dhe “Tokio 2020”.