Sport

Hapet procedurë disiplinore ndaj Feronikelit, Drenicës dhe Prishtinës

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka hapur procedurë disiplinore ndaj Feronikelit dhe Drenicës. KG-ja ka hapur procedurë disiplinore edhe ndaj Prishtinës. Të tre klubet janë në procedurë disiplinore për shkak të tifozëve.

Në raportin e KG-së thuhet se Feronikeli është në procedurë disiplinor për shkak të hyrjes në fushë të një tifozi, i cili në minutën e 7-të mori banerin e grupit të tifozëve “Shqiponjat e Zeza” në përkrahje të Drenicës. Në tentim për të kthyer banerin, në fushë, në ndeshjen Feronikeli – Drenica, u futën edhe disa tifozë të Drenicës. Ndeshja, për shkak të situatës së krijuar në mes të tifozëve, ishte ndërprerë për 24 minuta.

Ndërkohë për shkak të hedhjes së mjeteve piroteknike në fushë nga “Plisat”, në ndeshjen Llapi – Prishtina, është hapur procedurë disiplinore edhe ndaj Prishtinës.

KG-ja ka hapur procedurë disiplinore edhe ndaj dy futbollistëve, Hasan Hysenit të Malishevës dhe Dren Gashit të Dukagjinit për kacafytje.