Në vend se të ishte në Kampionatin Botëror, që tashmë ka filluar në Doha të Katarit, notarja Hana Beiqi të dielën zhvilloi dy stërvitje.
Stërvitjen e paradites e zhvilloi në Shkup, ndërsa të pasdites në një pishinë në afërsi të Prishtinës.
15-vjeçarja nuk është përfshirë nga Federata e Notit e Kosovës (FNK) në ekipin e Kosovës për Botërorin që përfundon më 18 shkurt.
Kosovën në Botëror do ta përfaqësojë notarja Eda Zeqiri. Eda është vajza e kryetarit të FNK-së, Agron Zeqiri.
Për mosparaqitjen e Beiqit në Botëror ka reaguar Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), pasi fillimisht paraqiti ankesë klubi i saj.
KOK-u ka insistuar se Beiqit i është bërë padrejtësi dhe diskriminim, por kjo është mohuar nga Federata, që ka akuzuar Komitetin Olimpik për tendencë të ndikimit në vendimmarrje.
KOK-u vlerëson se FNK-ja nuk e ka dërguar Beiqin në Botëror me qëllim për t’ia mohuar asaj të drejtën e shfrytëzimit të paraqitjes me ftesë në Lojëra Olimpike. Për ftesë olimpike, pjesëmarrja në Botëror është kusht.
Hana është e dëshpëruar që mbeti jashtë Botërorit. Por ajo beson fuqishëm se do të jetë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike.
“Është e dhimbshme për mua, pasi e kam merituar të shkoj. I kam dy disiplina olimpike me rezultatet më të larta në Kosovë dhe ky kampionat në Doha të Katarit që është duke u mbajtur, është i fundit kualifikues për Lojërat Olimpike. Është fatkeqësi që nuk më është dhënë mundësia dhe më janë mohuar rezultatet të cilat janë publike në ranglistë dhe në të gjitha portalet e notit. Po ashtu janë rekorde absolute të vitit 2023, por nuk më është dhënë mundësia të marr pjesë në këtë kampionat botëror shumë të rëndësishëm”, ka thënë Beiqi të dielën për KOHËN.
Hana thotë se nuk është hera e parë që diskriminohet. Madje thotë se padrejtësi i ka bërë edhe Komiteti Olimpik që këtë herë i doli në mbrojtje.
“Nuk është hera e parë që diskriminohem nga Federata e po ashtu edhe nga KOK-u, ku vitin e kaluar më është mohuar pjesëmarrja në Festivalin Olimpik për të rinj, pasi për grupmoshën time dhe për absolut kam qenë me më së shumti pikë. Por çdo diskriminim më bën më të fortë. Do të shihen rezultatet dhe nuk do të kem nevojë të flas”, ka thënë notarja e talentuar.
Hana Beiqi insiston se i ka rezultatet më të mira prej notareve kosovare.
“Kjo situatë është prekëse për mua pasi synimin më të madh për këtë vit e kam pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike dhe kam stërvitur për këtë kampionat. Por duhet të mbaj kokën lart dhe gjithçka do të bëhet mirë. Ai që meriton do të shkojë në Olimpiadë. Kam mbështetjen e KOK-ut për këtë punë dhe kam edhe më shumë motiv për t'u stërvitur dhe të arruj rezultate sa më të mira në garat e ardhshme që janë po ashtu kualifikuese për Olimpiadë dhe ta përfaqësoj vendin tim në Lojërat Olimpike”, ka shtuar ajo.
Beiqi është garuese e klubit të notit Otrila.
Ditë më parë klubi i saj ka paraqitur rekordet dhe rezultatet e Hanës, që i ka vlerësuar kulmore për Kosovën.
Notarja e talentuar ende beson se do të ketë gjasa për të siguruar paraqitjen në Lojërat Olimpike që këtë verë mbahen në Paris.
“Unë e di se ajo me më së shumti pikë shkon në Olimpiadë, ajo që e meriton shkon. Tash unë nuk vendosi aty, vendosin rezultatet. Ia dua të mirën secilit, por ai që është më i miri shkon. Ndodhi çka ndodhi, unë do të vazhdoj të stërvitem për Olimpiadë dhe të shohim se çfarë do te ndodhë”.
Hana Beiqi ka edhe nënshtetësi sllovene. Trajneri i saj, Astrit Haliti, ka thënë se notarja ka pasur ofertë për ta përfaqësuar Slloveninë, ndërsa ftesë i është bërë edhe nga shteti fqinj, Maqedonia e Veriut. Por, sipas tij, Hana ka qenë e vendosur për ta përfaqësuar Kosovën.
Ka kohë që komuniteti i vogël i notit ka mospajtime të theksuara. Dhe, ashtu siç ka vlerësuar KOK-u, organizata kryesore sportive në vend, në not i pranishëm është edhe diskriminimi ndaj sportistëve.
VIDEO: