Te Trepça nuk janë të kënaqur me pozitën e parë në tabelë pas stinorit vjeshtor të Superligës së Kosovës në basketboll.
Skuadra nga Mitrovica synon shumë më lartë, ta kthejë titullin e kampionit pas një pritjeje prej 10 vjetësh.
E këtë e konfirmon edhe njëri prej lojtarëve më të mirë të Trepçës, Drilon Hajrizi. Ai ka pranuar se rruga deri të titulli i kampionit është e gjatë, por nuk ka fshehur dëshirën dhe ambicien e klubit.
“Kemi punuar shumë gjatë gjithë verës që të jemi konkurrent për kreun e tabelës. Mendoj që ia kemi arritur qëllimit dhe na është shpërblyer puna e deritanishme, por ka edhe shumë punë për t’u bërë. Jemi duke punuar shumë dhe kemi ambicie të mëdha dhe afatgjate, kështu që rezultatet pozitive të tanishme nuk na kanë vetëkënaqur, pasi ambiciet tona janë më të larta, kështu që puna vazhdon edhe më shumë tani”, deklaroi Hajrizi, të shtunën për KOHËN.
Hajrizi këtë sezon ka mesatare prej 17.4 pikëve, 5.7 kërcimeve dhe 3.45 asistimeve për ndeshje. Trepça në stinorin vjeshtor ishte njëra prej skuadrave me formën më të mirë dhe konstante në Superligë. Pas 14 ndeshjeve në elitë, Trepça ka 10 fitore karshi katër humbjeve. Zë vendin e parë në tabelë me 24 pikë, sa i ka edhe kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli, por që ka koshdallim më të dobët.
“Puna profesionale dhe me plan afatgjatë të punës mendoj që janë fjala kryesore e jona deri më tani. Rruga deri te kampioni është shumë e gjatë, kështu që nëse jemi të bashkuar dhe me punën që jemi duke e bërë deri më tani, besoj fuqimisht se do të jemi konkurrent drejt titujve”, ka shtuar Hajrizi. Trepça ishte skuadra e parë që nisi stërvitjet për këtë sezon. Në fakt, edhe e kompletuara e parë, duke filluar nga trajneri bullgar, Lubomir Minchev.
Hajrizi ka thënë se puna e mundimshme gjatë verës i është shpaguar ekipit me pozitën e parë në Superligë. “Kemi punuar shumë dhe jemi përgatitur intensivisht dhe kjo na ka shërbyer edhe në parket. Punën nuk e kemi ndalur dhe jemi duke stërvitur me seriozitet të lartë. Me punë më afatgjate se në kohën kur Trepça është shpallur kampione”, u shpreh Hajrizi. Stinori pranveror ne basketboll nis me 12 dhe 13 janar. Trepça ndeshjen e parë të vitit 2022 e luan në shtëpi ndaj Yllit.