Në ditën kur Kosova mposhti në udhëtim Andorrën në kualifikimet për “Euro 2024”, faqja zyrtare e Luganos shfaqi statistika pozitive për Kreshnik Hajrizin. Pozitive u vlerësua edhe paraqitja e tij e parë në ndeshje zyrtare me “Dardanët”. Qendërmbrojtësi Hajrizi, që në nëntor të vitit të kaluar luajti në barazimin 1:1 në miqësoren kundër Ishujve Faroe, debutoi të enjten në mbrëmje. Kosova fitoi 3:0 në udhëtim tek Andorra në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit tjetër. Dy gola i shënoi Milot Rashica, kurse një tjetër e shënoi Altin Zeqiri, në ndeshjen e Grupit I. Hajrizi luajti në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë, shkaku i lëvizjeve taktike, përzgjedhësi Primozh Gliha, e zëvendësoi atë me Zymer Bytyqin. Për aq sa ishte në fushë, Hajrizi thotë se është ndarë shumë i kënaqur me paraqitjen e tij, por edhe i emocionuar pasi ka pritur gjatë për debutim zyrtar.
“Më në fund erdhi momenti që e kam pritur shumë dhe jam krenar që e kam përfaqësuar shtetin tim në ndeshje zyrtare. Emocionet kanë qenë shumë të mëdha. Jam ndier shumë mirë. Jam shumë krenar dhe shpresoj që të kem edhe më shumë paraqitje”, ka thënë mbrojtësi 24-vjeçar, që për herë të parë nga selektori Gliha u ftua për ndeshjet e shtatorit ndaj Zvicrës dhe Rumanisë.
Ai e vlerëson grupin e lojtarëve që ka Kosova dhe ka treguar se ka folur me secilin për të marrë këshilla.
“Në ekipin tonë ka lojtarë shumë të mirë që luajnë në kampionatet më të forta në botë. Jam pritur ngrohtësisht dhe i falënderoj të gjithë. Kam pasur biseda me të gjithë, jo vetëm me qendërmbrojtësit. Nga të gjithë kam marrë këshilla të vlefshme”, ka theksuar Hajrizi të premten për KOHËN.
Fitorja ndaj Andorrës ishte e para e Kosovës në këtë cikël kualifikues të Evropianit. Ka edhe katër barazime dhe dy disfata, ndërsa me 7 pikë të mbledhura zë vendin e katërt në grup. Hajrizi është zhvilluar si lojtar në futbollin helvetik dhe ka paraqitje për Zvicrën U15, U16 dhe U17. Më pas i ishte bashkuar Kosovës U21. Në nivel klubesh, ai është rritur tek Young Boysi. Karrierë ka bërë edhe te Chiasso. Te Lugano është nga viti 2021.
“Me Luganon po ecën gjithçka mirë dhe jam shumë i lumtur me formën që po e kaloj dhe shpresoj që të vazhdoj njësoj. Synimet e mia normalisht se janë që të arrijë sa më shumë në karrierë. Kam kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm me Luganon. Të shohim pastaj se çfarë do të na rezervojë e ardhmja”, është shprehur Hajrizi që është nga komuna e Shtimes.
Ai ka 11 paraqitje në të gjitha garat këtë edicionl. Gjashtë ndeshje i ka zhvilluar në Superligën e Zvicrës, dy në fazën grupore të Ligës së Konferencës dhe dy në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Evropës. Një tjetër paraqitje e ka në Kupën e Zvicrës.
Në elitën zvicerane, Lugano është në vendin e katërt me 15 pikë pas nëntë ndeshje. Lider është Zuerichu me 22 pikë në dhjetë ndeshje.
“Kreshnik Hajrizi padyshim se ndan përgjegjësi për sukseset e edicionit aktual te Lugano. Me 68.1% të dueleve të fituara, 24-vjeçari i qendrës së mbrojtjes është i treti më i miri në Superligë në këtë statistikë. Me Hajrizin në fushë, Lugano ka fituar pesë ndeshje të këtij sezoni dhe e ka humbur vetëm një. Tri disfatat e tjera, Lugano i ka pësuar pa të në fushë”, ka shkruar të enjten Lugano.