Basketbollisti Drilon Hajrizi beson në një paraqitje të mirë të Kosovës ndaj Danimarkës në ndeshjen e fundit të fazës së parë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”. Kosova më 30 qershor do të përballet me Danimarkën në qytetin Naestved, ndeshje kjo që i takon Grupit C parakualifikues. Përfaqësuesja e Kosovës të premten ka nisur përgatitjet për këtë ndeshje që edhe mund të jetë vendimtare për avancimin e “Dardanëve” në rundin e dytë preliminar.
Në fakt, Kosova po synon të avancojë në këtë fazë si ekipi më i mirë i dytë i fazës së parë. Katër përfaqësuese prej tri grupeve do të kalojnë në rundin tjetër: tri të parat në grupe dhe ekipi më i mirë i dytë. Aktualisht, Kosova është e dyta në Grupin C me 4 pikë, një më pak se Norvegjia që është e para dhe një më shumë se Danimarka që renditet e treta. Megjithatë, Norvegjia e Danimarka kanë një ndeshje më pak të luajtur dhe do të përballen më 3 korrik. Hajrizi të dielën për KOHËN ka pranuar se ndeshja ndaj Danimarkës nuk do të jetë aspak e lehtë. Sipas tij, Danimarka është favorite, por Hajrizi beson në paraqitje dinjitoze të Kosovës. Në ndeshjen e parë, të luajtur në nëntor të vitit të shkuar, Kosova pati triumfuar në Prishtinë me rezultatin 78:73.
“Në Danimarkë, sigurisht që do të udhëtojmë për të bërë një paraqitje sa më të mirë. E dimë se nuk do të jetë ndeshje e lehtë, edhe pse e kemi fituar ndeshjen e parë në shtëpi. Danimarka sigurisht që është favorite në këtë përballje, por ne do të mundohemi që në parket të tregojmë kualitetin tonë dhe të bëjmë një ndeshje të mirë”, ka thënë Hajrizi.
Ai ka pranuar se për Kosovën nuk do të jetë aspak mision i lehtë që ta mposhtë Danimarkën dhe të avancojë në rundin tjetër si ekipi i dytë më i mirë. Megjithatë, Hajrizi ka thënë se përderisa gjasat ende ekzistojnë, të gjithë lojtarët e grumbulluar do të japin gjithçka nga vetja. Hajrizi në tri ndeshjet e para të kësaj faze ishte ndër më të dalluarit te Kosova, duke luajtur me një mesatare prej 14.7 pikëve për ndeshje. Sa i përket sezonit të fundit, Hajrizi ka udhëhequr skuadrën e Trepçës drejt triumfit në Kupën e Kosovës. Po ashtu, me Trepçën, ai ka luajtur edhe në finale të Superkupës dhe finalen e plejofit.
“Realisht, gjasat janë minimale për të kaluar tutje, por derisa ka gjasa, atëherë duhet të shpresojmë. E rëndësishme për ne si ekip është që të bëjmë paraqitje të mirë dhe të kryejmë detyrat tona në mënyrën më të mirë dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka shtuar Hajrizi.
Në të vërtetë, përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, për ndeshjen me Danimarkën i ka grumbulluar 14 lojtarë përpara se të përcaktohet për listën përfundimtare. Ai nuk ka ftuar asnjë amerikan të natyralizuar. Në mesin e të ftuarve janë edhe Amin Hot, Ardit Pepaj e Etnik Peci, që për herë të parë janë grumbulluar me Kosovën. Boshnjaku Hot është nga Rozhaja, por prej fillimit të këtij viti llogaritet lojtar vendor, pasi është pajisur me pasaportë të Kosovës. Një tjetër lojtar nga Mali i Zi, Mikaile Tmushiq, ka kohë që luan për Kosovën.
“Kemi nisur grumbullimin dhe jemi në fazën e parë të përgatitjeve për ndeshjen me Danimarkën. Pas përfundimit të sezonit besoj se kemi kohën e mjaftueshme për t’u bërë gati për këtë takim. Besoj se do të përgatitemi maksimalisht për këtë takim dhe do të jemi në formë të mirë fizike për këtë ndeshje”, është shprehur Hajrizi.