Sport

Hajdari shpreson që edhe me Malishevën të luajë në Evropë

Një prej përforcimeve më të mëdha të Malishevës në afatin kalimtar të verës vlerësohet Fiton Hajdari.

Sulmuesi i krahut kaloi te Malisheva pasi u largua nga Gjilani pas tre vjetësh te kjo skuadër. Hajdari thotë se insistimi i trajnerit Arsim Thaqi dhe i drejtuesve të klubit e kanë bindur që t’i refuzojë disa klube për të pranuar ofertën e Malishevës.

“Kam pasur disa oferta, por zgjodha Malishevën, sepse vendosën synimi i klubit, korrektësia, insistimi i trajnerit dhe i drejtuesve të klubit. Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e këtij klubi”, u shpreh Hajdari të martën për KOHËN.

Fiton Hajdari është futbollisti i parë që ka shënuar gol në kualifikimet e Ligës së Kampionëve për një klub kosovar.

Ai kishte realizuar një gol të bukur ndaj Vikingurt në verën e vitit 2017, në kohën kur luante te Trepça ’89.

Ka veshur edhe fanellën e Hysit, Trepçës dhe Llapit. Përveç me Trepçën ’89, në garat evropiane ka luajtur edhe me Gjilanin.

Me përvojën që ka, Hajdari beson që do t’i ndihmojë Malishevës që të arrijë synimet.

“Mendoj që me përvojën time do t’i ndihmoj sa më shumë ekipit dhe që bashkë me futbollistët e tjerë do t’i tregojmë vlerat tona dhe do të kemi paraqitje të mira”, u shpreh Hajdari.

30-vjeçari nuk e fsheh dëshirën që edhe me Malishevën të luajë në garat evropiane.

Por e pranon se nuk do të jetë e lehtë që të sigurohet një vend që dërgon në kompeticonet kontinentale.

“Synimet e Malishevës do të jenë që të tregojmë ndeshje të mira dhe të jemi një ekip stabil në kampionat. Do të shohim se si do të shkojë faza e parë dhe besoj që do të jemi arrë e fortë për të gjitha ekipet kundërshtare. Të gjithë e duan pjesëmarrjen në Evropë. Ka shumë skuadra të mira. Do të jetë një kampionat i vështirë. Jemi duke punuar fort që të renditemi sa më lart në tabelë dhe nëse do të na jepet mundësia do të synojmë edhe Evropën, si nga kampionati ashtu edhe përmes Kupës”, thotë Hajdari.

Futbollisti nga Podujeva thekson se faza përgatitore ka shkuar shumë mirë dhe kjo, sipas tij, jep shpresë për një kampionat të mbarë.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Kemi pasur edhe disa ndeshje miqësore në Kosovë dhe gjatë qëndrimit në Ohër ku ishim për përgatitje. Jemi duke u komponuar si ekip dhe deri tani ka shkuar gjithçka mirë”.

Ndeshjen e xhiros së parë Malisheva nuk do ta zhvillojë në fundjavë ndaj Ballkanit, për shkak se ekipi nga Suhareka po merr pjesë në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Kjo ndeshje është shtyrë për të martën, me kërkesë të Ballkanit.