Ndeshja e Grupit I kualifikues për Evropianin e vitit të ardhshëm ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës do të luhet të shtunën në stadiumin “St. Jakob Park” dhe nis në orën 20:45. Zvicra është nikoqire, por mbrojtësi i Kosovës, Florent Hadërgjonaj, e ka vlerësuar si “ballafaqimin më të madh të Kosovës si vendëse”.
Hadërgjonaj, që është anëtar i Alanyasporit në elitën e futbollit të Turqisë, e ka vlerësuar të tillë ndeshjen në Bazel, për shkak se stadiumi do të jetë i mbushur plot, kryesisht me tifozë shqiptarë që do të jenë në përkrahje të Kosovës.
“Do të jetë atmosferë e zjarrtë. Sa i përket numrit të tifozëve në stadium do të jetë ndoshta ndeshja më e madhe që e kemi pasur në shtëpi, si Përfaqësuese e Kosovës”, ka thënë Hadërgjonaj duke qeshur në një intervistë dhënë për mediumin zviceran “20min.ch”.
“Kam mbledhur sa më shumë bileta që kam mundur. Nuk ishte e lehtë. Shumë lojtarë janë vërshuar nga kërkesat për bileta”, ka vazhduar tutje Hadërgjonaj.
Për 29-vjeçarin, që luan si mbrojtës i krahut të djathtë, do të jetë ndeshje e veçantë si për shumë të tjerë.
Hadërgjonaj është rritur në futbollin zviceran. Ka qenë pjesë e të rinjve të Thunit, Luzernit, e Young Boysit. Madje ka qenë edhe pjesë e grupmoshave zinxhirë të Zvicrës U20 e U21, teksa ka luajtur edhe një ndeshje me seniorët e “helvetikëve”.
“Do të jetë pritje e madhe për ne dhe do të jetë e veçantë edhe për mua personalisht. U linda dhe u rrita në Zvicër, kam luajtur për Zvicrën dhe familja ime do të jetë në tribuna. Kundër Izraelit, Zvicra do të duhej ta siguronte kualifikimin në Kampionatin Evropian, pavarësisht rrethanave. Besoj se të shtunën asnjëra skuadër nuk ka çfarë të humbë”, ka theksuar ai.
Hadërgjonaj mungoi në ndeshjen që Kosova e fitoi në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Izraelit 1:0 të dielën. Ai me Fidan Alitin janë tek e njëjta skuadër në Turqi, dhe vetëm njëri nga ta pati të drejtë të vinte për këtë ndeshje. Aliti e kompletoi ndeshjen në Prishtinë, ndërsa Hadërgjonaj pritet të ketë minutazhë ndaj Zvicrës. Pavarësisht se nuk ishte i pranishëm ndaj izraelitëve, Hadërgjonaj i është gëzuar fitores së arritur.
Kundër Zvicrës, Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e dytë të fazës grupore. Ballafaqimi i parë në Prishtinë ishte mbyllur 2:2 në muajin shtator. Zvicra është kritikuar shumë për rezultatet e këtij cikli eliminator, e veçanërisht përzgjedhësi Murat Yakin. Por, Hadërgjonaj është treguar i matur dhe nuk ka folur për telashet brenda përfaqësueses “helvetike”.
“Kam kontakte shoqërore me disa futbollistë, por nuk i gjykoj këto çështje. Mendoj se ky grup është nënvlerësuar nga disa njerëz në Zvicër. Por mendoj se Zvicra ka qenë edhe e pafat. Pas rezultatit në ndeshjen e parë, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka ishin shumë të nervozuar. Ky do të jetë motivim shtesë për ata dhe pa dyshim se duan të tregojnë nivelin e tyre të lojës. Edhe rezultati i ndeshjes së fundit i ka futur në presion sa i përket kualifikimit”, ka deklaruar Hadërgjonaj.
Kosova për duelin ndaj Zvicrës në Basel nuk do ta ketë të gatshëm për lojë Vedat Muriqin. Sulmuesi i Mallorcas u lëndua rëndë në ndeshjen e fundit ndaj Izraelit dhe do të mungojë edhe në takimin e fundit ndaj Bjellorusisë më 21 nëntor.
“Kemi marrë goditje të rëndë. Ai i ka shkaktuar shumë probleme mbrojtjes së Zvicrës në ndeshjen e parë. Por, pavarësisht se kush luan të shtunën, do të jetë ndeshje shumë e fortë”, theksoi ai.
Hadërgjonaj në futbollin profesionist ka debutuar me Young Boysin. Më pas ai karrierë ka bërë edhe në Bundesligë e Premier League. Prej janarit të vitit 2020 është pjesë e futbollit të Turqisë.
Kosova në Grupin I ka gjasa fare të vogla matematikore për t’u kualifikuar në Evropianin që vitin tjetër organizohet në Gjermani. Është e katërta me 10 pikë nga tetë ndeshje.
Grupit i prijnë Zvicra dhe Rumania me nga 16 pikë. Izraeli është i treti me 12 pikë.
Bjellorusia është e parafundit me gjashtë pikë, kurse Andorra ka dy pikë në vendin e fundit.