Debutimi i sulmuesit Erling Haaland në Premier Ligën do të vijë në një ndeshje në udhëtim te West Ham Unitedi, kur Manchester City e nis mbrojtjen e titullit në “Olympic Stadium”.
Orari i ndeshjeve për sezonin 2022/23 të ligës angleze u publikua të enjten, me Liverpoolin - skuadra që pritet t’i bëjë konkurrencë sërish Cityt për titull - duke filluar kundër ekipit të rikthyer në elitë, Fulhamit.
City e luan ndeshjen e parë një ditë më vonë. Takimi i parë mes Cityt dhe Liverpoolit është planifikuar për në mes të tetorit në stadiumin “Anfield Road”, dy javë pasi City do të luajë në “Etihad Stadium” ndaj Manchester Unitedit.
Haaland është transferimi kryesor në ligë deri, pasi ditë më parë iu bashkua Cityt edhe zyrtarisht nga Borussia Dortmundi. Ndeshja e parë zyrtare e sulmuesit 21-vjeçar në shtëpi për Cityn duhet të jetë ajo ndaj Bournemouthit në kuadër të xhiros së dytë.
Nottingham Forest u promovua në Premier League përmes plejofit të Championshipit dhe ndeshjen e parë në elitë që nga viti 1999 do ta luajë në udhëtim te Newcastle Unitedi.
Ndeshja hapëse e sezonit më 5 gusht, do të jetë ajo ndërmjet Crystal Palacet dhe Arsenalit.
Premier League do të ketë një pushim pas fundjavës së 12/13 nëntorit deri më 26 dhjetor për shkak të Kupës së Botës.