Synimi i tij më i madh kishte qenë të luante më tepër ndeshje me përfaqësuese të Norvegjisë sesa babai i ti, Alf-Inge, dhe të fitonte Premier Leaguen me Leeds Unitedin. Njëra nga ambiciet mund të jetë më e arritshme se tjetra.
Erling Haaland është 19-vjeçar dhe ka dy ndeshje me Përfaqësuesen A të Norvegjisë tashmë. I duhen edhe 33 ndeshje për të kaluar shifrën e ndeshjeve që pati babai i tij.
Dhe Leedsi? Ai duhet ta ndryshojë atë synim në rast se prezantohet në “Old Trafford” muajin e ardhshëm si përforcim i madh i Manchester Unitedit në projektin e rindërtimit, shkruan “Daily Mail”, transmeton Koha Ditore.
Ai mund të hyjë në zemër të tifozëve të Manchester Unitedit këtë javë duke e eliminuar Liverpoolin nga Liga e Kampionëve.
Një fitore e RB Salzburgut të martën në Austri me gjasë do të eliminonte kampionin në fuqi Liverpoolin, që do të duhej të vazhdonte garat në Ligë të Evropës, një fat të cilin e kishte pasur Chelsea pas fitimit të titullit të Championsit në vitin 2012.
Dhe njeriu që me gjasë do të bëjë më së tepërmi dëm nga skuadra e Salzburgut është i biri i Alf-Inges, Erling, i lindur në Leeds. Alf-Inge vetë ishte reprezentues i Norvegjisë, ndërsa kishte luajtur për Nottingham Forestin dhe Manchester Cityn nga viti 1993 deri më 2003.
Për Erling Haalandin janë duke u interesuar skuadrat më të mëdha evropiane. Ai ishte fenomen qysh në rini kur po luante në elitë të futbollit norvegjez me Brynen si 16-vjeçar. Ai kaloi te Molde, klubi më i madh në Norvegji, ku kishte qenë nën direktivat e kryetrajnerit të tashëm të Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ndërsa kishte shënuar 12 gola në 25 ndeshje.
Më pas erdhën nëntë gola në një ndeshje për Norvegjinë në Botërorin U-20 verën e shkuar.
Por janë tetë golat e shënuar në Ligën e Kampionëve këtë stinor që ka bërë klubet si Manchester Unitedi të insistojnë për transferimin e tij.
Ai bëri bujë me “hat-trick” të shënuar në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve kundër Genkut, siç kishte bërë Wayne Rooney në debutimin e tij në garë kundër Fenerbahçes si 18-vjeçar.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)