Sport

Guirassy, udhëtari i shndërruar në “makineri golash” në Champions

Serhou Guirassy

Serhou Guirassy ishte sulmues me karrierë modeste, deri dy vjet më parë.

Tani është golashënuesi më i mirë i edicionit në Ligën e Kampionëve. Me “hat-trickun” e realizuar të martën mbrëma ndaj Barcelonës, sulmuesi i Borussia Dortmundit ka arritur në shifrën e 13 golave në garën elitare evropiane.

Në biografinë e tij, 29-vjeçari ka disa raste të rënies nga liga në Gjermani dhe Francë. Deri në edicionin e kaluar asnjëherë nuk kishte arritur shifrën e 15 golave. 

Gjashtë transferimet e tij në karrierën plot udhëtime, shpesh të prekur nga lëndimet, kanë kushtuar 45 milionë funte. Por tani sulmuesi i Guinesë është realizuesi më i mirë në Champions.

“Ai ishte plotësisht i mahnitshëm në këtë garë. Ishte makineri e shënimit të golave”, ka thënë Owen Hargreaves, fituesi i dyfishtë i Ligës së Kampionëve. 

“Shumë ekipe do të përcjellin Guirassyn. Ai ka shënuar shumë gola në Stuttgart, tani te Dortmundi.

Ofron prani të madhe fizike, ndërsa është golashënues natyral”.

Guirassy, që ishte pjesë e Francës U19, nisi në nivelin e të rriturve te skuadra e kategorisë së dytë franceze, Laval. Në edicionin 2014/15 i shënoi gjashtë gola në 29 paraqitje. Ai u transferuar te Lille për 1 milion euro. Herve Renard ishte trajneri që e transferoi te Lille, por u shkarkua në nëntor. Me vetëm tri paraqitje nga fillimi në Ligue 1, Guirassy u dërgua në huazim tek ekipi i kategorisë së dytë, Auxerre, në janar 2016. Ai i shënoi tetë gola në 16 paraqitje, por Lille e shiti në verë. 

Ndonëse Arsenali po e përcillte, Guirassy u transferua te Kolni. Por marrëveshja nuk u arrit lehtë. Te klubi gjerman vunë re diçka në kontrollimet mjekësore. Klubet patën luftë të vogël fjalësh para se Kolni të negocionte një dëmshpërblim më të ulët. Transferimi i tij besohet t’i ketë kushtuar Kolnit rreth 4 milionë euro. Lëndimet e goditën sulmuesin e fuqishëm. Ai shënoi vetëm katër gola në 21 paraqitje në dy edicionet e para në Bundesligë. Kolni më pas ra në Bundesliga 2. 

Guirassy realizoi vetëm dy gola në stinorin vjeshtor të edicionint 2018/19 në Bundesliga 2. U kthye në Francë, duke u huazuar tek Amiensi. Sulmuesi i shënoi tri gola në pjesën e dytë të edicionit 2018/19, para se Amiensi të paguante rreth 5 milionë euro për ta transferuar plotësisht. 

West Hami, Aston Villa, Leicesteri, Bournemouthi, Brightoni dhe Tottenhami ishin skuadrat angleze që e përcollën Guirassyn, por ai mbeti tek Amiensi që ra në Ligue 2. 

Drejtori sportiv i Amiensit, John Williams thotë se Guirassy refuzoi një kalim te Chelsea në verën e vitit 2020, pasi dëshironte garanci se do të luante në ekipin e parë. Në vend të Chelseat kaloi te Rennesi i elitës franceze për 15 milionë euro. Për herë të parë shënoi mbi dhjetë gola në edicion.

Kishte 25 gola në dy edicione, por Gjermania po thërriste sërish.
Guirassy u huazua te Stuttgarti në fillim të vitit 2022. I shënoi 14 gola, duke përfshirë një në plejaut.

Stuttgarti mposhtu Hamburgun dhe kështu sulmuesi e shmangu rënien për herë të tretë në karrierë.

Stuttgarti më pas e transferoi për 9 milionë euro dhe karriera e Guirassyt lulëzoi.

Në edicionin 2023/2024 i shënoi plot 30 gola në 30 ndeshje për Stuttgartin. Në Bundesligë i kishte 28 gola në 28 paraqitje. Ka realizuar çdo 79 minuta dhe për pak mbeti prapa Harry Kane.

Stuttgarti doli nënkampion i Gjermanisë. Gjatë kohës te Stuttgarti, Guirassy u bë pjesë e Guinesë, ndonëse kishte luajtur për të rinjtë e Francës.

Verën e kaluar ai kishte oferta nga Manchester Unitedi dhe Newcastle, por u transferua te Borussia Dortmundi. Një tjetër lëndim, prej shumë që i kishte në karrierë, shtyu debutimin te Dortmundi. Por kur nisi me ndeshje ishte i jashtëzakonshëm. Ka 28 gola në 40 paraqitje.

13 prej golave i ka në Champions, ku po luan për herë të parë. Është numri më i madh i golave i shënuar nga një lojtar afrikan gjatë një edicioni në Ligën e Kampionëve. 

“E kuptoj që forma ime mund të jetë befasuese për dikë, por për mua nuk është”, ka thënë Guirassy.

“Kam pasur dy edicione të çmendura, por nuk kam ndryshuar asgjë. Nuk punoj më shumë, nuk pushoj më shumë, nuk bëj më shumë videoanaliza. Ka të bëjë me besimin. Dhe e kam kuptuar që në nivelin më të lartë kualiteti nuk mjafton. Duhet të kapërcesh barrierat edhe kur ke dhimbje, duhet të bësh vazhdimisht vrapime me intensitet. Duhet të vraposh më shpejt dhe më shpesh se kundërshtari yt.

Kjo ndoshta solli ndryshimin për mua”, thotë Guirassy.