Sport

Guardiola thotë se City nuk guxon të lëshojë pikë në garën për titull

Pep Guardiola

Trajneri Pep Guardiola pranon se Manchester City nuk mund të lejojë të humbasë më pikë nëse dëshiron të arrijë Arsenalin që aktualisht është në krye të garës për titull në Premier League. Skuadra e Guardiolas, që është në vendin e dytë, do të jetë pas Arsenalit për pesë pikë nëse “Topçinjtë” mundin Evertonin në ndeshjen e mbetur, të mërkurën.

City kishte dalë në vendin e parë kur fitoi 3:1 ndaj Arsenalit, por një barazim 1:1 në udhëtim te Nottingham Foresti i lejoi skuadrës së Mikel Artetas, Arsenalit, të kthehet në vendin e parë. Kampioni në fuqi i Anglisë, City, mposhti Bournemouthin 4:1 në xhiron e fundit për të qëndruar në garën për titull, vetëm disa orë pas fitores 1:0 të Arsenalit ndaj Leicester Cityt.

Por me Cityn që duhet ta parakalojë Arsenalin në përpjekje për të fituar titullin e pestë në gjashtë edicione, Guardiola e di se ekipi i tij nuk ka më hapësirë ​​për gabime.

“Kam ndjenjën se në Premier League shumë gjëra do të ndodhin. Të gjithë do të humbin pikë, por ne nuk mund të humbasim asnjë nëse duam të luftojmë deri në fund”, tha Guardiola të hënën.

Skuadra e Guardiolas udhëton tek ekipi i Championshipit, Bristol Cityt, në kuadër të raundit të pestë të Kupës FA, të martën, përpara se të kthehet në garën për mbrojtjen e titullit me një test potencialisht të ndërlikuar kundër Newcastle Unitedit të shtunën.

City ka qenë jashtëzakonisht i paqëndrueshëm për pjesën më të madhe të këtij edicioni, duke i dhënë Arsenalit mundësinë për të marrë lidershipin dhe për t’u vlerësuar favorit për titullin e kampionit, i cili do të ishte i pari për ekipin nga Londra prej vitit 2004.

Megjithatë, Guardiola këmbëngul se City ende po garon dhe po luan me standardin që ai kërkon, pavarësisht gabimeve të herëpashershme.

“Loja që ne po luajmë është e mirë. Rezultatet mund të jenë më të mira, por ndonjëherë ndodh që mos të marrim fitore si në ndeshjet me Tottenhamin e Nottinghamin”, pranoi Guardiola. “Sigurisht që nuk është në rregull, por unë nuk kam ankesa me mënyrën se si po luajmë dhe po luftojmë. Disponimi brenda ekipit është i jashtëzakonshëm dhe futbollistët po bëjnë gjithçka për ta mbrojtur titullin. Kështu që kjo më mjafton”.

Bristol City nuk ka humbur ndeshje që nga dhjetori dhe Guardiola nuk ka ndërmend ta marrë si të lehtë fitoren kundër skuadrës së Nigel Pearson. Ai kërkon të shmangë një befasi të Kupës FA.

“Në 12 ndeshjet e fundit Bristoli është pa humbje dhe kjo seri është informacion i mjaftueshëm për mua. Kjo do të thotë se Bristoli është një ekip shumë i fortë që drejtohet nga një trajner me përvojë. Ne duam të japim më të mirën dhe mos të lejojmë ndonjë befasi”, u shpreh Guardiola. “Kupa FA është një garë shumë e rëndësishme dhe ne duam të shkojmë deri në fund dhe ta fitojmë”.

Ndaj Bristolit mund të ketë një shans të rrallë që mesfushori i Cityt, Kalvin Phillips, të startojë, pas një kampanje frustruese të reprezentuesit anglez. Phillips ka qenë titullar në vetëm një ndeshje prejse iu bashkua Cityt nga Leeds Unitedi në fillim të këtij edicioni. Ai vazhdimisht ka luftuar me lëndimet përpara se të kritikohej nga Guardiola për mbipeshë.

“Kalvini po përshtatet gradualisht. Disa lojtarë kanë nevojë për pak më shumë kohë”, tha Guardiola.

“Kam ndjenjën se ai ka nevojë për pak më shumë kohë për të mësuar më shumë për ritmin tonë, por ishte e rëndësishme për të që të luante minutat që luajti në Bournemouth”.