Trofeu i parë nga tre sa i synon Manchester City i Pep Guardiolas, mund të sigurohet më herët, para se skuadra të luajë kundër Chelseat të dielën.
Titulli i pestë i Premier Leagues në gjashtë edicionet e fundit mund të konfirmohet të shtunën, nëse Arsenali i vendit të dytë pëson nga Nottingham Foresti.
Guardiola nuk dëshiron që të bëhet kampion në rrethana të tilla.
“Nëse mund të fitojmë të dielën dhe të festojmë në stadiumin tonë me tifozët e skuadrës tonë, do të ishte festa më e mirë”, ka thënë spanjolli të premten.
Në pozitën në të cilën është Guardiola, mund edhe të zgjedhë se si dëshiron të shkojë festa.
Dominimi i Cityt në ligë ka qenë në rrezik nga skuadra e Arsenalit që kryesoi në tabelë për pjesën më të madhe të edicionit dhe pati epërsi prej tetë pikësh ndaj kampionit në fuqi në fillim të muajit prill.
Por kombinimi i rënies së “revolveristëve” në fund të kampionatit dhe serisë prej njëmbëdhjetë fitoreve e Cityt ka bërë që titulli me shumë gjasë të mbetet në “Etihad Stadium” për herën e tretë rresht.
“Në Premier League”, ka thënë Guardiola, “është një çështje se kurrë nuk duhet të dorëzohesh dhe duhet të presësh”.
Ai i përshkroi lojtarët si “lule të lumtura”. Tregoi se i kishte paralajmëruar lojtarët kur skuadra e humbi kryesimin se Arsenali do t’i “shkatërronte” nëse nuk do të përmirësoheshin.
Asnjë nuk e vë në dyshim Cityn tani. Skuadra ka edhe tri ndeshje për ta fituar tripletën: Premier Leaguen, Ligën e Kampionëve dhe Kupën FA.
Pasi e eliminoi Real Madridin me fitore 4:0 në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën, edhe një herë u shfaq forma dhe disponimi i jashtëzakonshëm i Cityt.
Vetëm rënia e pamundshme do të bënte që ta dorëzonte titullin e Premier Leagues, por Guardiola ka thënë se nuk do t’i lë asgjë rastit kundër Chelseat.
“Ndeshja e fundit është më e vështira sepse ka shumë emocione dhe shumë gjëra tjera. Ne nuk mund të shpërqendrohemi tani. Ne nuk do t’ia falnim vetes nëse jemi të shpërqendruar nga diçka”.
Chelsea po shkon drejt fundit të një prej edicioneve më të dobëta, ani pse shpenzoi rreth 630 milionë dollarë në lojtarë të rinj.
Në vitin e parë kaotik me pronarët e rinj, Todd Boehly dhe Clearlake Capital, klubi nga Londra ka shkarkuar dy trajnerë në mënyrë që ta kthejë fatin dhe nuk do të kualifikohet për garat evropiane.
Trajneri i përkohshëm, Frank Lampard, ka thënë se kishte provuar ta transferonte sulmuesin e Cityt, Erling Haaland, kur ishte për herë të parë në krye të skuadrës në “Stamford Bridge”, nga viti 2019 deri në vitin 2021.
“Doja që ta transferoja në skuadër por kjo nuk u bë e mundur”, ka thënë të premten Lampard. “Ai është i veçantë. E kam ditur se ai do të përshtatej menjëherë për shkak të nivelit. Doja shumë që ta transferoja atë dhe disa lojtarë të tjerë. Por ai ishte i jashtëzakonshëm”.
Lampardi ka edhe dy ndeshje si trajner i përkohshëm, ndërsa Mauricio Pochettino pritet të bëhet trajner i ardhshëm i Chelseat.
Lampardi u kthye te klubi ku është ikonë, por nuk ka shkuar gjithçka siç duhet. Ai e ka fituar vetëm një nga tetë ndeshje në krye të skuadrës dhe i ka humbur gjashtë.
“Gjithmonë dëshiron të kesh rezultate pozitive, por në futboll duhet të jesh realist”, tha Lampard.
“Në përgjithësi ka shumë punë për t’u bërë këtu. Mund të kem ndikim te disa gjëra dhe disa individë brenda grupit sepse kam ndjenja të mëdha për këtë klub”.
Pasi printe në tabelë për kohë të gjatë, shpresa e vetme e Arsenalit është që të fitojë ndaj Nottingham Forestit dhe të mbetet në garë për titull.
Mikel Arteta ishte afër që të triumfonte, por dy fitore nga shtatë ndeshjet e fundit në ligë kanë bërë që titulli thuajse t’i dhurohet Cityt.
Trajneri i Arsenalit ishte në disponim të mirë të premten.
“Jemi ende në garë”, ka thënë ai. “Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje ne ende mund të bëhemi kampionë kundër ndoshta njërit prej ekipeve më të mira në historinë e Premier Leagues. Ka ende dy ndeshje dhe nuk do të dorëzohemi”, theksoi Arteta.