Sport

Grupi E: Navas, Ruiz e Borges fitojnë edhe nga një shans për të luajtur në Botëror

Tre nga lojtarët më të mëdhenj të Kosta Rikës do të marrin një shans të fundit në Kupën e Botës duke luajtur së bashku. Portieri Keylor Navas, sulmuesi Bryan Ruiz dhe mesfushori Celso Borges ishin pjesë e ekipit që arriti në çerekfinale në Kupën e Botës 2014 në Brazil dhe më pas u kualifikua për turneun e vitit 2018.

37-vjeçari Ruiz tashmë ka thënë se do t'i japë fund karrierës ndërkombëtare pas turneut të këtij viti në Katar. Krahas 35-vjeçarit Navas dhe 34-vjeçarit Borges, Ruiz udhëhoqi Kosta Rikën në përfundimin më të mirë në Kupë të Botës. Skuadra kryesoi një grup që përfshinte Italinë, Uruguain dhe Anglinë, dhe më pas mundi Greqinë me penallti në 1/8 së finales. Përzgjedhësi i Kosta Rikës, Luis Fernando Suarez, ka thënë se Ruiz, i cili nuk ishte në formën më të mirë gjatë kualifikimeve, do të jetë në skuadrën e tij për shkak të udhëheqjes së tij ndër vite.

Grupi i vështirë

Për turneun në Katar, Kosta Rika përsëri pati një short të vështirë, duke u vendosur në Grupin E së bashku me Spanjën, Gjermaninë dhe Japoninë. Kosta Rika ndeshjen e parë e luan më 23 nëntor kundër Spanjës, përpara se të përballet me Japoninë katër ditë më vonë. Ndeshja e fundit e fazës së grupeve do të jetë kundër gjermanëve më 1 dhjetor.

“Ajo që ka më shumë rëndësi për mua është se secili nga lojtarët tanë ka vetëdije të plotë për aftësitë që kanë rivalët tanë”, tha përzgjedhësi Suarez. “Spanja ka posedimin e topit, Japonia ka gjerësi në fushë, Gjermania ka intensitet. Kështu që besoj se jemi të gatshëm të përballemi me të gjithë. Grupi nuk është i lehtë, por ne kemi synimet tona”.

62-vjeçari Suarez ka përvojë të mëparshme në Kupën e Botës. Trajneri kolumbian u paraqit me Ekuadorin në turneun e vitit 2006 dhe me Hondurasin në edicionin 2014. Ai pritet të qëndrojë si trajner i Kosta Rikës edhe për katër vjetët e ardhshëm. Kosta Rika do të luajë miqësore kundër Irakut dhe Nigerisë para fillimit të Kupës së Botës, në mënyrë që në Katar të shkojë plotësisht e përgatitur.

E ardhmja

Kosta Rika do t’i ketë disa fytyra të reja. Në mesin e tyre është edhe mesfushori 18-vjeçar Brandon Aguilera, i cili së fundmi ka nënshkruar për ekipin nga Premier League, Nottingham Forest. Edhe sulmuesi i krahut, Jewison Bennette, që është pjesë e Sunderlandit, do të përfshihet. Trajneri Suarez e solli këtë të fundit në ekip para se të luante në kategorinë e parë të vendit. Dhe ishte pikërisht Bennette që bëri harkimin për golin e shënuar nga Joel Campbell që i dha Kosta Rikës fitoren në plejofin kundër Zelandës së Re. Kosta Rika do të luajë në Kupën e gjashtë të Botës. Skuadra u kualifikua në vitin 1990, 2002 dhe 2006 përpara se të arrinte edhe në dy turnetë e fundit me Navasin, Ruizin dhe Borgesin.

“Të tre kanë qenë dhe mbeten të rëndësishëm për ekipin tonë. Kështu që ata kanë një rast të mirë për ta dëshmuar edhe një herë veten në skenën më të madhe të futbollit në botë”, insistoi përzgjedhësi Suarez.