Futbollistët kryesorë të SHBA-së këtë edicion po ngrohin stolin nëpër klubet e tyre. Dy portierë kanë rënë në divizionin e dytë të Anglisë, ndërsa i treti ende nuk e ka bërë asnjë paraqitje në Premier League. Amerikanët kthehen në Kupën e Botës pas dështimit për t’u kualifikuar në turneun e vitit 2018, me atë që ka të ngjarë të jetë skuadra më e re në mesin e 32 përfaqësueseve. Ky ekip i SHBA-së vlerësohet brezi më i talentuar i vendit, por jo konsistent dhe është i paprovuar. Amerikanët u kualifikuan në Botëror vetëm falë goldallimit, pasi e humbën ndeshjet e fundit të fazës kualifikuese. Ekipi i udhëhequr nga përzgjedhësi Gregg Berhalter shkon në Katar pas humbjes 2:0 nga Japonia dhe barazimit pa gola me Arabinë Saudite në miqësoret e fundit. Kjo do të thotë se amerikanët në shtatë ndeshjet e fundit kanë vetëm një fitore karshi tri barazimeve e po aq humbjeve.
“Sigurisht se nuk i kemi pasur rezultatet që kemi pritur por me optimizëm të madh do të shkojmë në Botëror”, tha mesfushori Christian Pulishiq. SHBA-ja garon në Grupin B së bashku me Anglinë, Uellsin e Iranin.
Pulishiq, amerikani i parë që ka luajtur në finale të Championsit dhe e ka fituar atë, këtë edicion ka pasur minutazhë të vogël te Chelsea, si nën drejtimin e Thomas Tuchelit ashtu edhe të Graham Potterit.
“Mendërisht nuk është lehtë, por unë nuk po dorëzohem dhe besoj se në Katar do të jem në formë, ani pse nuk kam pasur shumë minuta te Chelsea”, pranoi Pulishiq.
Përzgjedhësi, të rinjtë dhe portierët jostabil
49-vjeçari Berhalter është bërë i pari trajner i SHBA-së që ka luajtur për të në Botëror. I angazhuar në dhjetor të vitit 2018, ai ka përdorur 91 lojtarë deri më tani, ku 56 prej tyre u ka mundësuar debutimin te SHBA-ja. Ai preferon sistemin e lojës 4-3-3. Aktualisht te amerikanët vetëm një lojtar mund të konsiderohet me përvojë – 29-vjeçari DeAndre Yedlin. Mosha mesatare e ekipit është 23 vjet, që do të thotë se SHBA-ja do të paraqitet me skuadrën më të re në moshë në Katar.
“Mendoj se ky është kompliment për djelmoshat”, tha Berhalter.
Problemin më të madh SHBA-ja e ka pasur me portierët. Matt Turner, i cili ka startuar në tetë prej 14 ndeshjeve kualifikuese, aktualisht është rezervë e Aaron Ramsdalet tek Arsenali. Ai sipas të gjitha gjasave do të shkojë në Botëror pa luajtur asnjë minutë në Premier League. Zack Steffen është huazuar nga Manchester City te Middlesbrough, ndërsa Ethan Horvath prej Nottinghamit është huazuar te Lutoni.
Mbrojtësit e pasigurt dhe lëndimet
Mbrojtja u dobësua kur Miles Robinson pësoi lëndim të rëndë në muajin maj. Walker Zimmerman dhe Aaron Long, të cilët ishin titullarë në miqësoret e shtatorit, ishin pjesë e klubeve që nuk u kualifikuan në plejofin e ligës MLS dhe prej 15 tetorit janë pa ndeshje. Mbrojtësi i djathtë, Sergino Dest, i padëshiruar nga Barcelona, u huazua te Milani dhe ka luajtur vetëm dy herë si titullar që nga muaji prill. Gio Reyna është rikthyer nga lëndimi që e kishte lënë jashtë fushës prej vitit të shkuar, ndërsa Tim Weah ka munguar në dy muajt e parë të këtij sezoni te Lille. Së fundmi është lënduar edhe mesfushori Weston McKennie që është pjesë e Juventusit.
“Greggu nuk do ta ketë një ekip të kompletuar dhe këtë më duhet ta pranoj. Shumica e lojtarëve nuk i luajnë, ndërsa të tjerët janë të lënduar. Do të jetë vështirë për të na Katar”, tha ish-mbrojtësi i SHBA-së, Alexi Lalas.