Sport

Gruaja e Xhakës po luan rol në rikthimin e tij në Gjermani

Gruaja e Granit Xhakës po luan rol vendimtar që mesfushori shqiptar që përfaqëson Zvicrën, të largohet nga Arsenali për t’iu bashkuar skuadrës së Bayer Leverkusenit në Bundesligën gjermane.

Xhaka pritet të largohet në verë nga Arsenali pas shtatë vjetësh te kjo skuadër.

Ai ka qenë një prej lojtarëve kryesorë te “revolveristët” që kanë humbur hapin për t’u shpallur kampion në ligë pas një kohe shumë të gjatë.

“Sport Bild” ka shkruar të enjten se Leonita Lekaj, gruaja e Xhakës, është duke e shtyrë Xhakën drejt Bundesligës gjermane.

Madje është raportuar se Xhaka ka pranuar edhe pagë më të ulët, vetëm që të vazhdojë karrierën në Gjermani.

Përveç Leverkusenit, interesim për të siguruar shërbimet e Xhakës kanë shprehur edhe Borussia Moenchengladbach e Borussia Dortmund.

Xhaka ka ende punë me Arsenalin që luan kundër Nottingham Forestit në Premeir League. Ndërkohë, ndeshjen e fundit në “Emirates Stadium”, pritet ta luajë më 28 maj kur Arsenali e pret Wolverhamptonin.

30-vjeçari ka luajtur në 45 ndeshje për Arsenalin në këtë edicion. Ka realizuar shtatë gola dhe ka shtatë asistime.