Sport

Gripshi synon të lërë gjurmë edhe në Champions

Nazmi Gripshi - Ballkani

Në sezonin e tij të dytë me skuadrën e Ballkanit arriti ta fitojë titullin e kampionit. Bëhet fjalë për mesfushorin ofensiv Nazmi Gripshi, i cili ishte njëri prej lojtarëve kryesorë në suksesin historik të ekipit nga Suhareka. Skuadrës së Ballkanit, të dielën edhe zyrtarisht iu dorëzua trofeu i kampionit, i cili është i pari në histori të klubit. Kjo ceremoni u mbajt pas fitores së Ballkanit 2:0 në Suharekë ndaj Gjilanit, që ishte edhe e fundit për sezonin 2021/22.

Përderisa për Ballkanin ky është titulli i parë, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për Gripshin. Ai e ka edhe një titull të fituar në karrierë, por në Shqipëri. Në sezonin 2017/18 ai u shpall kampion edhe me Skënderbeun e Korçës. Gripshi ka thënë se ndihet krenar që në sezonin e tij të dytë në futbollin kosovar ka arritur të bëhet kampion.

“Jam shumë i lumtur që në vitin tim të dytë në futbollin e Kosovës kam arritur ta fitoj titullin e kampionit. Kjo është hera e dytë për mua si futbollist që e fitoj kampionatin, pasi një e kam fituar edhe në Shqipëri”, është shprehur Gripshi. “Gjatë tërë edicionit, atmosfera në klub ka qenë shumë e mirë dhe të gjithë ishim të motivuar. Kështu që besoj se këtë sukses e ka merituar qyteti i Suharekës së bashku me tifozët dhe lojtarët e Ballkanit”.

Gripshi 24-vjeçar do të jetë pjesë e Ballkanit edhe për disa sezone të tjera. Ai së fundmi e ka vazhduar kontratën e tij deri në vitin 2025 për t’iu dhënë fund të gjitha spekulimeve rreth së ardhmes së tij. Mesfushori ka insistuar se për asnjë moment nuk ka pasur dyshime për të ardhmen e tij, pasi ka qenë i vendosur për të mbetur pjesë e Ballkanit. Ai është shumë i lumtur që do të vazhdojë ta bartë fanellën me numrin dhjetë të paktën edhe për tri edicione të tjera.

“Për asnjë moment nuk e kam pasur në mëdyshje firmosjen e kontratës së re me ekipin. Jam i bindur që kam bërë zgjedhjen e duhur për karrierën time dhe në këtë mund të them se kanë ndikuar shumë atmosfera në skuadër, trajneri, presidenti dhe grupi që është shumë i mirë”, ka insistuar Gripshi.

Ballkani, si kampion është ekipi i vetëm që do ta përfaqësojë futbollin e Kosovës në Ligën e Kampionëve. Sezonin 2022/23 Ballkani do ta nisë prej fazës së parë kualifikuese të garës më të rëndësishme të klubeve në Evropë. Për ekipin nga Suhareka, kjo do të jetë hera e parë që do të paraqitet edhe në garat evropiane, por jo edhe për Gripshin. Gripshi ka qenë pjesë e Teutës dhe Skënderbeut, por në Ligën e Evropës. Për të paraqitja në Champions do të jetë për herë të parë dhe ai shpreson të lërë gjurmë. Po ashtu shpreson që edhe Ballkani të shkojë sa më larg që të jetë e mundur, pasi thotë se e ka një trajner si Ilir Daja, që ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Evropës me Skënderbeun.

“Ne do të festojmë titullin dhe menjëherë pas kësaj do të mendojmë për Ligën e Kampionëve. Synimi është të kemi paraqitje të mira dhe ta përfaqësojmë futbollin kosovar si është më së miri në skenën evropiane. Për këtë jam optimist duke pasur parasysh cilësitë që i kemi brenda ekipit, por edhe trajnerin që ka përvojë dhe e njeh mjaft mirë Ligën e Evropës”, ka shtuar Gripshi.

Gripshi është pjesë e Ballkanit që nga vera e vitit 2020. Ai u transferua te ekipi nga Suhareka prej Skënderbeut. Këtë edicion, Gripshi ka shënuar tre gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 30 paraqitje për Ballkanin në të gjitha garat.