Sport

Greuther Furthi në garë për Hysenin, Llapi pret ofertën

Një qendërsulmues i ri, së shpejti mund t’i bashkohet skuadrës së Greuther Furthit, që është pretendente për inkuadrim në Bundesligë. “Greuther Furthi është në garë për shërbimet e Muhamet Hysenit, qendërsulmuesit kosovar, i cili për Llapin ka shënuar 13 gola në 17 ndeshje. Dhe jo vetëm kaq, Hyseni është edhe futbollist i Përfaqësueses dhe ishte i suksesshëm, duke shënuar gol kundër Zvicrës në nëntor”. Kështu shkruan në fillim të shkrimit, në gazetën e madhe gjermane “Bild” të martën. Tutje, gazeta gjermane shkruan se Furthi i ka bërë ofertë tashmë Llapit.

“Sulmuesi mund ta zëvendësojë Tim Lemperlen, i cili do të kthehet te Koelni pas huazimit të tij njëvjeçar”, thuhet në shkrim.

Por trajneri i Llapit, Tahir Batatina, thotë se janë në pritje të ofertës zyrtare për Hysenin. Ai insiston se për Hysenin ka edhe oferta tjera.

“Ne jemi duke pritur ofertën zyrtare. Ka zëra në atë drejtim, por derisa të vjen oferta zyrtare, neve na mbetet të përgatitemi për sezonin pranveror. Por, besoj se kur do të ndodhë transferimi, do të jetë transferimi më i lartë nga Kosova në Evropë. Ka vetëm diskutime nga shumë menaxherë të klubeve, por ende asgjë konkrete. Ka oferta nga Gjermania, Belgjika, Rumania, Kroacia dhe Zvicra”, ka thënë Batatina për KOHËN, të martën.

Batatina thotë se puna që ka bërë me vite, po sjell frytet e saj.

“E kam dëshmuar me punë që nga shitja e Mirlind Dakut e tutje. I kam promovuar më së shumti lojtarët e rinj. Të gjitha këto shtete po e kërkojnë Muhametin, por jo vetëm atë, edhe disa lojtarë të tjerë”, ka theksuar Batatina.

Hyseni ka treguar paraqitje të mëdha në edicionin aktual, në Superligën e Kosovës në futboll. Falë paraqitjeve me fanellën e Llapit, Hyseni mori ftesë edhe nga Kosova. Bëri debutim ëndrrash në nëntor. Shënoi golin e barazimit kundër Zvicrës në Basel. Ndeshja pati përfunduar baras, 1:1 dhe i takoi kualifikimeve për “Euro 2024”. Ai luajti edhe ndaj Bjellorusisë. Para se të ftohej nga Kosova A, Hyseni luajti dy ndeshje me Kosovën U19 dhe një ndeshje me Kosovën U17. Llapit iu bashkua në verën e këtij viti nga Feronikeli 74, ndërsa ka luajtur edhe për Malishevën dhe Shkollën e Futbollit “Kurda”.