Gjashtë muajt e kaluar te skuadra e Gjilanit në Superligën e Kosovës në futboll, i kanë lënë përshtypje të madhe futbollistit nga Shqipëria, Bedri Greca.
29-vjeçari është kthyer sërish në futbollin kosovar. Por, kësaj radhe jo te Gjilani me të cilin e kishte ndërprerë bashkëpunimin në janar. Greca në edicionin 2020/2021, do të veshë fanellën e Feronikelit nga Drenasi, me të cilin klub ka nënshkruar kontratë 2-vjeçare dhe synon të arrijë suksese të mëdha. Sulmuesi i krahut ka thënë për “KOHËN” se ka ardhur te Feronikeli për disa arsye, e njëra ndër to, për t’u treguar skeptikëve se nuk mund ta ndalin.
“Për t’u treguar “dardanëve” talentin që më ka dhuruar Zoti, për t’u treguar skeptikëve që unë ia dal kudo që jam dhe këtë mundësi ma dha Feronikeli”, tha në filmim Greca. Ai zbulon se oferta e Feronikelit ka qenë shumë e mirë dhe ka vendosur ta pranojë pa menduar shumë. Futbollisti tiranas zbulon se ka qenë një person te klubi nga Drenasi që e ka bindur që të nënshkruajë për 24 muaj.
“Oferta e Feronikelit ishte e mirë, por personi që më ka bindur plotësisht ishte Adem Bucolli, që kishte dëshirë të madhe që unë të jem pjesë e Feronikelit. Po ashtu edhe projekti i klubit për të luftuar në të dy frontet, ishte një gjë që ndikoi që unë të pranoj ofertën e Feronikelit”, tha futbollisti i shumë skuadrave në Shqipëri.
Ai premton se do të japë më të mirën nga vetja për të fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.
Madje ka edhe një premtim për tifozët e Feronikelit, “Tigrat e Zi”.
“Feronikeli ka dominuar në aspektin e trofeve në vitet e fundit në Kosovë, e po ashtu edhe me lojë të bukur. Tifozët thjesht duhet të ulen në shkallët e stadiumit dhe ta shijojnë spektaklin. E thashë edhe më herët, kam ardhur për të fituar të dy trofetë, titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës”, theksoi Greca.
Këmbëshpejti që njihet edhe për teknikë të lartë, thotë se i ka refuzuar disa klube për të nënshkruar me tri herë kampionin e Kosovës.
“Kam pasur oferta nga shumë klube, sepse mbylla një sezon të shkëlqyer si te Gjilani, ashtu edhe te Laçi. Të them të drejtën, dashamirët e futbollit në Kosovë janë të zjarrtë dhe e duan shumë këtë sport dhe kjo më ka bërë shumë përshtypje. Një bravo e madhe për të gjithë në Kosovë”.