Një ditë pasi Federata e Futbollit e Kosovës, përkatësisht Komisioni i ngritur prej saj, ia refuzoi kandidaturën për kryetar në zgjedhjet e 6 prillit, Gramoz Vokrri ka vendosur ta padisë FFK-në.
Është zyra ligjore “Pro Juris Law Firm”, me seli në Prishtinë, që është autorizuar nga Vokrri për t’i ndjekur rrugët ligjore.
“Gramozi ka qenë në zyrën tonë dhe na ka autorizuar që të merremi ligjërisht sa i përket vendimit të Federatës së Futbollit të Kosovës. Për momentin jemi duke përpiluar një padi ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës. Besoj se do ta përpilojmë dhe do ta dorëzojmë padinë. Brenda 2-3 ditëve e procedojmë padinë pranë gjykatës kompetente”, thuhet në një përgjigje të zyrës ligjore “Pro Juris Law Firm” për KOHËN, të enjten.
Komisioni për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të Kuvendit të rregullt zgjedhor për kryetar të FFK-së, ka refuzuar të mërkurën kandidaturën e Gramoz Vokrrit, ndërsa ka aprovuar atë të kryetarit aktual, Agim Ademit.
Në vendimin gjashtëfaqësh të Komisionit janë dhënë edhe arsyetimet e refuzimit të kandidaturës së Vokrrit për kryetar të FFK-së. Emrat e Komisionit nuk janë bërë të ditur, por ai ka vlerësuar se Vokrri nuk i ka plotësuar kriteret për të qenë kandidat për kryetar në Kuvendin Zgjedhor të thirrur për 6 prill.
FFK-së, Komisioni verifikues ka gjetur kontestues nënshkrimet që kanë ardhur nga Prishtina, Ulpiana e Kika për Gramoz Vokrrin.
Por Vokrri insiston se e drejta është në anën e tij dhe se nënshkrimet janë valide. Se nënshkrimet janë valide kanë thënë edhe krerët e klubit Prishtina.
Por, Komisioni ka konstatuar se në mbështetje të Gramoz Vokrrit për kryetar të FFK-së janë gjithsej 13 nënshkrime të vlefshme të delegatëve të ligjshëm të Kuvendit të FFK-së, kurse të pavlefshme janë pesë nënshkrime. Komisioni ka vlerësuar se të pavlefshëm janë nënshkrimi mbështetës i Naim Biçkajt, dy nënshkrimet mbështetëse të Rrahman Haradinit, nënshkrimi mbështetës i Artan Osmanit dhe nënshkrimi mbështetës i Bajram Shabanit.
Në arsyetimin e Komisionit thuhet se Vokrri “nuk është i asociuar me asnjërin nga anëtarët e FFK-së, nuk është i zgjedhur apo anëtar i emëruar i FFK-së, nuk është aktiv në organizatën e futbollit, kurse i njëjti me asnjë provë nuk ka vërtetuar se i plotëson këto kritere”. Tutje Komisioni ka shkruar se “Gramoz Vokrri nuk ka sjellë as dëshminë nga Gjykata se nuk është i dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për vepër penale”.
Ndërkohë për Ademin është konstatuar nga Komisioni se i plotëson të gjitha kriteret, nuk është i larguar apo suspenduar më herët nga FFK-ja. Po ashtu, sipas Komisionit, ka konfirmime edhe nga UEFA që dëshmojnë se Ademi nuk ka dënim dhe nuk është i dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për vepër penale në Kosovë, derisa ai ka dorëzuar propozimin me dokumentet – nënshkrimet mbështetëse të delegatëve brenda afatit të përcaktuar me Statut.
I biri i legjendës, Fadil Vokrri, Gramozi, e ka quajtur fantom Komisionin e FFK-së.
Ai ka thënë se Komisioni e ka eliminuar me çdo kusht konkurrencën dhe frymën demokratike të procesit zgjedhor në FFK.
“Unë e kam dorëzuar gjithë materialin që ma kanë kërkuar dhe me çështjen time merret zyra ligjore. Në momentin që do të ketë ndonjë zhvillim do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Vokrri të enjten për KOHËN.
Nëse Gramoz Vokrrit përfundimisht i refuzohet e drejta për të kandiduar, rrjedhimisht Ademi do të mbetet kandidati i vetëm në Kuvendin zgjedhor të FFK-së. Ish-zyrtari i FFK-së, Arianit Ahmeti, ka mbetur i befasuar me vendimin e Komisionit. Ahmeti të mërkurën ka reaguar në “Facebook” duke e quajtur këtë vendim skandaloz. Ka shkruar se vendimi nuk ka efekt juridik pa u aprovuar nga Komiteti Ekzekutiv dhe Kuvendi i FFK-së.