Sport

Goli për Kosovën ka frymëzuar Altin Zeqirin

Altin Zeqiri nuk ka lëvizur shumë në karrierë. Rizespori, skuadra e elitës së Turqisë, tek e cila u transferua në verë, është e treta e sulmuesit 23-vjeçar. Zeqiri nuk planifikon të ndërrojë ambient momentalisht, por ëndërron të luajë te një skuadër e madhe, njësoj si shokët te Kosova. Ai të dielën për KOHËN ka thënë se është me fat që është pjesë e Kosovës, në ekip me futbollistë që bëjnë karrierë në ligat e mëdha evropiane.

Zeqiri e nisi karrierën si 10-vjeçar tek Espoo në Finlandë, vendi ku u lind. Kaloi grupmoshat te ajo skuadër dhe luajti me ekipin e parë. Realizoi 11 gola në 33 paraqitje, para se të vazhdonte zhvillimin tek Lahti në Finlandë.

Me Lahtin luajti në 108 ndeshje derisa kontribuoi me 26 gola e 15 asistime.

Në verë nënshkroi me Rizesporin e elitës turke, ndërsa paraqitjet e mira bënë që të marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës. Me Kosovën debutoi kundër Andorrës në kualifikime për “Euro 2024”. Kosova mposhti në udhëtim Andorrën 3:0, ndërsa Zeqiri shënoi golin e tretë me asistim të Milot Rashicës. Sulmuesit të krahut iu deshën vetëm shtatë minuta lojë për ta shënuar golin e parë me fanellën e “Dardanëve”. Debutim ëndrrash e ka quajtur ai.

“Është një ndjenjë shumë e veçantë që është e zorshme për ta përshkruar. Kur debuton është nder dhe krenari, por të debutosh me gol është diçka e veçantë, si një ëndërr. Jam shumë i lumtur që e kam pasur mundësinë të debutoj në këtë mënyrë”, ka thënë Zeqiri.

Zeqiri ka vetëm dy grumbullime me Kosovën. Ende nuk ka pasur rast të kalojë shumë kohë me gjithë futbollistët. Por është ndier rehat që nga dita e parë.

“Djemtë i falënderoj, sepse më kanë pritur në skuadër shumë mirë. Gjithë kohën kur jam me Kombëtaren mundohem të mësoj nga lojtarët e tjerë, sepse janë duke bërë karrierë të mrekullueshme tash e disa vjet. Është një gjë që dua edhe unë personalisht ta bëj në të ardhmen”, ka vazhduar sulmuesi.

Zeqiri dëshiron që të mos ndalet me kaq. Shpreson në më shumë gola e gëzime me Kosovën.

“Si sulmues çdo gol të jep ekstra vetëbesim dhe kur u ktheva në klub në lojën e parë, e pata mundësinë të kontribuoj me një gol tjetër. Por fatkeqësisht rezultati ishte jo i mirë për ne”, thotë Zeqiri.

Ndeshja me Andorrën u zhvillua më 12 tetor. Më 21 tetor, Zeqiri kishte shënuar në disfatën 3:1 të Rizesporit në udhëtim te Kayserispori. Ai kishte shënuar në minutën e 70-të, pak kohë pasi ishte inkuadruar në fushë. Zeqiri e ka edhe një asistim në fitoren 3:2 në udhëtim te Trabzonspori.

“Më duket se kaluan vetëm 30 sekonda nëse nuk gaboj. Dhe me prekjen e parë shënova gol me klubin”, tregon futbollisti premtues, që i pranishëm për 82 minuta ishte edhe në disfatën 1:0 nga Galatasaray të shtunën.

Edhe ndaj Galatasarayt pati paraqitje të mirë, por fati i mungoi në disa momente.

“Ishte ndjenjë e mirë kur mund të matesh me lojtarët e nivelit të lartë. Edhe ne si skuadër luajtëm 90 minuta shumë të mirë dhe besoj se do të mund të merrnim rezultat edhe më të mirë. Kësaj radhe humbëm 1:0, por me paraqitje shumë të mirë”, thotë Zeqiri.

Ndeshjet e fundit kualifikuese të Evropianit për Kosovën janë afër.

Në muajin nëntor përfaqësuesja do t’i zhvillojë tri ndeshje. Luan me Izraelin, Zvicrën dhe Bjellorusinë. Zeqiri thotë se do të jetë i gatshëm nëse ftesa vjen sërish për të. Zeqiri ka qenë edhe pjesë e Kosovës U21, ndërsa ka 11 paraqitje.

“Gjithmonë jam i gatshëm. Nëse më vjen ftesa për ta përfaqësuar Kombëtaren, jam gjithmonë i gatshëm dhe është nder dhe krenari për mua. Normalisht, gjithmonë kur hyj në fushë jap maksimumin dhe shpresoj që të mund të kontribuoj për Kosovën sa më shumë që mundem”, ka deklaruar Zeqiri.

Kosova nuk ka gjasa për kualifikim në Evropian, por ndeshjet e nëntorit do të jenë mundësi e mirë për lojtarët e rinj të shfaqin talentin.