Pasi shënoi në portën e zbrazët, Astrit Fazliu nisi festën e madhe para 25 mijë shikuesve. Gëzimi te Fazliu dhe lojtarët e tjerë të Dritës ishte i madh. Drita e Gjilanit po fitonte 2:1 ndaj një klubi të njohur evropian. Drita ishte pranë një fitoreje të madhe, ndërsa më meritori do të ishte Fazliu. Ai shfrytëzoi një gabim të kapitenit të Feyenoordit, që nuk largoi topin e gjatë të pasuar nga Ardian Cuculi. Pas gabimit të mbrojtësit të klubit të madh holandez, Fazliut i mbeti vetëm një prekje e lehtë për ta kaluar portierin dhe për të realizuar për 2:1. Ky rezultat mbeti deri në minutën e 67-të. Por Feyenoordi shënoi dy gola deri në fund dhe fitoi 3:2.
Bëhet fjalë për ndeshjen Feyenoord – Drita e luajtur më 29 korrik të vitit të kaluar në “De Kuip” të Rotterdamit. Me atë fitore Feyenoordi kishte kaluar Dritën në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndeshja e parë, e luajtur më 22 korrik 2021 në Prishtinë, kishte përfunduar 0:0.
Për Dritën ishte fund dinjitoz i kampanjës evropiane. Për Feyenoordin fillim i rrugëtimit që e solli në Tiranë, ku të mërkurën (21:00) e luan finalen e Ligës së Konferencës me Romën.
“Shënova në portën që ishte në pjesën e stadiumit ku ishin tifozët ultras të Feyenoordit. Kam dhënë shumë gola të rëndësishëm në Maqedoni, Shqipëri, në derbin Partizani - Tirana, por nuk mendoj se ka gol më të bukur për mua se që ishte ai i shënuar ndaj klubit holandez. Është diçka e madhe për mua. Ishim pranë një fitoreje të madhe, por Feyenoordi kaloi tutje”, ka thënë Fazliu të martën për KOHËN.
Feyenoordi kaloi rresht kundërshtarët, ndërsa nuk ka pësuar asnjë humbje në Ligën e Konferencës, nivelin e tretë evropian. Tani e pret punë e vështirë me Romën e Jose Mourinhos. Roma pritet të ketë më shumë përkrahje nga tifozët në “Air Albania”. Por shumë tifozë ka edhe Feyenoordi. Fazliu është njëri prej tyre.
“Ajo ndeshje nuk përshkruhet me fjalë. Ishte atmosferë e shkëlqyer. Është diçka e paharrueshme dhe do të më mbetet një kujtim gjatë gjithë jetës, pasi tashmë dihet që jam në perëndim të karrierës dhe gjasat janë të vogla që ta kem rastin të luaj një ndeshje të tillë. Jam me Feyenoordin në finale”, ka theksuar Fazliu, që me Dritën është në finale të Kupës së Kosovës. Ai pritet të jetë titullar ndaj Llapit, të enjten. Do të jetë edhe ndeshja e tij e fundit me fanellën e Dritës.
“Pas finales së Kupës do të përshëndetem me Dritën. Kam kaluar jashtëzakonisht mirë. Një kthim në Ferizaj është i mundshëm. Synimet tona kanë qenë triumfi në kampionat, por shpresoj të jemi në ditën tonë më të mirë dhe ta fitojmë të paktën Kupën”, ka thënë sulmuesi Fazliu.
34-vjeçari ka fituar dy tituj me Prishtinën, dy me Dritën dhe një me Feronikelin. Nga një Kupë të fituar me Prishtinën dhe Feronikelin, ndërsa me Prishtinën e ka fituar dy herë Superkupën. Këtë trofe një herë e fitoi me Feronikelin. Fazliu ka luajtur edhe për Ferizajn, Ulpianën, Shkëndijen e Tetovës, Partizanin e Tiranës dhe Flamurtarin e Vlorës.
Në prag të finales së Ligës së Konferencës, Fazliu e kujton golin ndaj njërit finalist. Dhe ai i shërben për t’u frymëzuar para finales së Kupës së Kosovës.