Gjilan, 7 mars – Është pjesë e Dritës që nga shtatori i vitit të kaluar, kur u huazua nga klubi kroat, Slaven Belupo. Por golin e parë me ekipin nga Gjilani e ka shënuar vetëm pas gjashtë muajve.
Bëhet fjalë për Festim Alidemën, i cili të dielën u bë “hero” i kampiones në fuqi, Dritës. Alidema u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë dhe në kohën shtesë ia siguroi fitoren Dritës kundër Feronikelit. Goli i Alidemës, përveç tri pikëve, pati vlerën edhe të pozitës së parë, pas 23 ndeshjeve të zhvilluara.
23-vjeçari nga Pozherani i Vitisë, ka thënë për KOHËN se golin e realizuar ia dedikon familjes së tij. Sipas Alidemës, me e rëndësishme ishte fitorja e ekipit.
“Goli kundër Feronikelit të dielën ishte i pari për mua me fanellën e Dritës. Jam shumë i lumtur për golin që e realizova në kohën shtesë dhe për tri pikët për skuadrën. Kjo fitore na mban në pozitën e parë dhe kjo ka rëndësi të madhe. Për mua më e rëndësishme është që të arrijmë fitore sesa të shënoj. Jam i kënaqur që ia dola që ta ndihmoj ekipin. Këtë gol ia dedikoi familjes time”, tha Alidema. Sulmuesi i Dritës thekson se goli ndaj Feronikelit i ka dhënë motiv të madh për ndeshjet e radhës.
“Goli ndaj Feronikelit më ka dhënë motiv dhe besim për ndeshjet e radhës. Shpresoj që ta ndihmoj ekipin me gola në ndeshjet e radhës. Unë jam optimist se mund të vendos edhe ndeshje të tjera gjatë kampionatit. Por duhet ta them se për mua më e rëndësishme është që Drita të fitojë dhe në fund të shpallet kampione”, shtoi Alidema.
Ai e di shumë mirë synimin e gjilanasve. Për këtë thotë se janë duke punuar shumë në mënyrë që titulli të mbetet sërish te Drita.
“Besoj që do t’ia dalim që ta mbrojmë titullin e kampionit. Jemi një grup i mirë, atmosfera është shumë e mirë dhe me punën që po bëjmë mund t’ia dalim. Kemi në skuadër lojtarë me përvojë të madhe dhe besoj që kemi potencial që të arrijmë titullin”, u shpreh Alidema, i cili e sheh garën për titull si shumë interesante.
“Gara për titull do të jetë interesante deri në fund. Kandidatë për titull janë vetëm tri ekipet e para në tabelë. Ne po punojmë shumë që në fund ta mbajmë titullin në Gjilan. Sigurisht, deri në fund ka shumë ndeshje dhe ne do të jemi aty për ta arritur synimin që kemi”, deklaroi Alidema.
Të ardhmen Alidema nuk e di ende. Ai do të mbetet i huazuar te Drita deri në fund të sezonit e më pas do të vendosë për të ardhmen.
“Nuk e di për të ardhmen. Jam i fokusuar te Drita dhe dua të jap më të mirën për këtë ekip. Në fund të sezonit do të shohim se çka do të ndodhë”, përfundoi Alidema.
Ai është i huazuar te Drita deri në fund të kampionatit. Ndërkohë me Slaven Belupon ka kontratë deri në fund të qershorit të këtij viti, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Përveç një goli me Dritën këtë sezon, ai ka bërë edhe një asistim. Megjithatë, Alidema ka pasur pak telashe edhe me një lëndim.
Alidema është rritur si lojtar te Vllaznia e Pozheranit. Ndërkaq formën më të mirë e gjeti te Llapi, prej nga në verën e vitit 2019 u transferua në Kroaci te Slaven Belupo. Skuadra ku luan sulmuesi Alidema, Drita, renditet në pozitën e parë në tabelë me 50 pikë të mbledhura.