Sport

Goli historik i Gresa Berishës

Një vrapim i shpejtë i Gresa Berishës pak minuta pa përfunduar ndeshja, doli të jetë vendimtar për kualifikimin e Vllaznisë së Shkodrës në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Berisha rrëmbeu një top në afërsi të zonës së kundërshtareve, pa nga porta pozicionin dhe gjuajti fuqishëm. Topi u ndal në rrjetë për rezultatin 2:1. Festë e madhe u bë në fushë. Gol historik dhe më të rëndësishmin në gjithë karrierën e saj, e ka quajtur Berisha shënimin e minutës së 88-të për Vllazninë e Shkodrës kundër Vorskla Kharkiv-2. Historik është edhe kualifikimi i skuadrës shkodrane, pasi asnjë ekip tjetër shqiptar nuk e ka arritur një sukses të tillë.

Vllaznia e Shkodrës fitoi të mërkurën ndaj skuadrës ukrainase 2:1 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Ishte kjo ndeshja kthyese e plejofit të Ligës së Kampionëve. Javën e kaluar, ndeshja që u zhvillua po ashtu në të njëjtin stadium për shkak të pushtimit të Rusisë në Ukrainë, u mbyll 1:1.

“Është një sukses i madh. Është sukses historik për mua dhe për gjithë klubin e Vllaznisë dhe në përgjithësi për futbollin e femrave. Jam shumë e lumtur për sukseset e mia, sepse kam punuar shumë për to”, ka thënë Berisha të mërkurën për KOHËN.

Berisha shquhet për shpirtin luftarak në fushë. Ajo përfaqëson Shqipërinë, ndërsa tani po shijon suksesin edhe me një skuadër shqiptare. 24-vjeçarja nga Prishtina karrierë më parë ka bërë edhe te skuadra e Prishtinës. Më pas ka kaluar te Hajvalia e Mitrovica në elitën e futbollit të femrave në Kosovë. Hapin tjetër e bëri në Shqipëri, te Vllaznia.

Ajo thotë se është familja që e ka ndihmuar në çdo hap të karrierës. Dhe nënvizon se përkushtimi i madh brenda dhe jashtë fushës ka bërë që t’i shpaguhet e gjithë sakrifica.

“Normalisht se mund ta vlerësoj si golin më të rëndësishëm të karrierës time. Jam lojtare dhe personalitet që nuk dorëzohem kurrë, pa marrë parasysh se në çfarë situate gjendemi në lojë. Edhe goli erdhi si rezultat i luftës dhe mosdorëzimit tim. E falënderoj Zotin dhe gjithë skuadrën për një moment si ky”, është shprehur Berisha.

Vllaznia e Shkodrës në raundin e parë kualifikues e eliminoi skuadrën sllovake Spartak Myjavan. Tani duhet të presë shortin për t’i mësuar kundërshtarët në fazën e grupeve. Kundërshtarët do t’i mësojë më 3 tetor në Nyon të Zvicrës, kurse ndeshjet e para të fazës së grupeve do të nisin më 19 tetor.

“Në fazën e grupeve do të jetë shumë e vështirë, sepse dihet në çfarë niveli kemi arritur. Por ne do të mundohemi ta bëjmë më të mirën dhe të shkaktojmë sa më shumë befasi. Shpresoj që të na prijë fati edhe në short”, ka thënë Berisha.