Sulmuesi nga Maqedonia e Veriut, Marko Simonovski, e ka nisur furishëm edicionin 2022/23 në Superligën e Kosovës. Gjashtë gola në po aq ndeshje të luajtura në kampionat është bilanci i sulmuesit të Dritës. Me gjashtë gola deri më tani, Simonovski së bashku me sulmuesin e Trepçës ’89, nigerianin Christian Mba, janë më efikasët në elitën e futbollit kosovar.
Tre gola Simonovski i shënoi në ndeshjen e fundit, të cilën Drita e fitoi bindshëm. Drita, të mërkurën, triumfoi 4:1 në derbin ndaj Gjilanit, ndërsa Simonovski në këtë fitore të madhe kontribuoi me “hat-trick”. Në një intervistë të enjten për KOHËN, Simonovski ka pranuar se ka pritur të shënojë në derbi, por jo edhe tre gola.
Ai të paktën ka besuar se do të mund të shkundë dy herë portën kundërshtare. “Hat-tricku” thotë se i ka ardhur si bonus dhe se më shumë është gëzuar për fitoren ndaj Gjilanit sesa golat e shënuar. Me këtë fitore Drita është ngritur në pozitën e parë në tabelë me 14 pikë të mbledhura sa i ka edhe Gjilani që është i dyti, por që ka një ndeshje më shumë të luajtur. Drita është ekipi i vetëm deri më tani në Superligë që nuk di për humbje. Ka katër fitore e dy barazime.
“Jam i lumtur si për golat ashtu edhe për fitoren, ndonëse tri pikët ishin më të rëndësishme në derbi se golat. Realisht kam besuar se do të shënojë në derbi por nuk kam pritur të realizoj ‘hat-trick’. Kam pritur të shënoj ndoshta dy gola por pata fatin që ndeshjen ta mbyll me tre gola të shënuar dhe më vjen mirë për këtë”, është shprehur Simonovski.
Ai është i kënaqur me formën që e ka treguar në start të këtij sezoni dhe shpreson të vazhdojë me këtë ritëm deri në fund. Për Simonovskin ky është edicioni i tretë në futbollin kosovar, ndërsa i dyti me fanellën e Dritës. 30-vjeçari zbarkoi në Kosovë gjatë edicionit 2020/21 kur iu bashkua Feronikelit. Në sezonin e tij të parë, Simonovski shënoi 12 gola në 20 ndeshje kampionale, ndërsa në të dytin realizoi 15 gola në 28 paraqitje. Këtë edicion po shpreson që të shënojë edhe më shumë gola dhe po angazhohet shumë për të arritur synimin që i ka vënë vetes.
“Po ndihem shumë mirë dhe jam tejet i kënaqur me formën që e kam treguar në start të sezonit. Dëshira ime është që të shënoj më shumë gola sesa edicionin e shkuar për ta thyer rekordin tim personal në Kosovë. Jam optimist se do t’ia dal, por po shkoj ndeshje pas ndeshjeje”, shtoi Simonovski.
Krahas golave, objektivi i Simonovskit është që këtë edicion ta mbyll me trofe, saktësisht titullin e kampionit. Ai insiston se Drita mund të ketë sukses pasi po luan mirë dhe ka kontinuitet. Në rast se fiton titullin, atëherë ky do të ishte trofeu i parë i Simonovskit në Kosovë. Sulmuesi pranon se ka dëshirë të jetë i suksesshëm edhe me klubin, jo vetëm në aspektin individual.
“Sigurisht, synimi është të fitojmë trofe këtë edicion. Po shpresoj që ta fitoj trofeun tim të parë në futbollin e Kosovës, do të ishte diçka fantastike. Personalisht besoj se do të kemi një sezon të suksesshëm pasi po punojmë shumë në këtë aspekt, po angazhohemi maksimalisht dhe po luajmë mirë”, ka thënë Simonovski. “Synimi këtë edicion është titulli apo trofeu tjetër pasi duam ta mbyllim edicionin me një sukses të madh. Mund të them se këtë edicion po luajmë më mirë pasi njihemi më shumë mes vete dhe kjo është e rëndësishme pasi po ka rezultat edhe në fushë”.
Para se të zhvendoset në Kosovë, Simonovski karrierë ka bërë edhe në vende tjera të Evropës. Ai karrierën si profesionist e ka nisur te Vardari i Shkupit në vitin 2010, ndërsa ka luajtur edhe për Metalurgun, Napredokun para se të largohet nga Maqedonia e Veriut në vitin 2014. Ka luajtur tek Amkari (Rusi), Spliti (Kroaci), Zhetysu e Shakhter Karagandy (Azerbajxhan), Lahti (Finlandë) dhe Sepsi e Voluntari (Rumani). Ka edhe tri paraqitje me Përfaqësuesen A të Maqedonisë së Veriut, ndërsa ka luajtur edhe me gjeneratën U21 e U19.