Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Prishtina nuk e ka nisur mbarë edicionin e ri. Renditet në vendin e pestë me 16 pikë të grumbulluara, gjashtë më pak se Drita që është lidere. E mbarë nuk e kanë nisur edicionin as sulmuesit kryesorë të skuadrës nga kryeqytetit. Pas 12 xhirove të luajtura, golashënuesi më i mirë i Prishtinës është mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi.
Ai ka shënuar gjashtë gola dhe është në mesin e tre shënuesve më të mirë në Superligën e Kosovës në futboll deri më tani. Prej gjashtë golave të shënuar, Krasniqi pesë i ka realizuar nga penalltia. Në fakt, Prishtina ka shënuar katër gola në katër ndeshjet e fundit kampionale dhe të gjithë golat e mbajnë firmën e mbrojtësit Krasniqi. Me golat e Krasniqit, Prishtina ka arkëtuar saktësisht dhjetë pikë, nga 16 në total sa ka pas 12 ndeshjeve të luajtura. Tri fitore janë siguruar nga golat e mbrojtësit të krahut të majtë. Prishtina, në total ka shënuar 14 gola në 12 takime, që i bie se gati gjysmën e golave të klubit bardhë e kaltër, i ka shënuar Krasniqi. Ai ka thënë për KOHËN se çdoherë punon shumë për të pasur sezon sa më të mirë. Thekson se është shumë i kënaqur që po mund ta ndihmojë ekipin, qoftë edhe nga penalltitë.
“Të them të drejtën, gjithmonë punojë shumë dhe angazhohem për të arritur diçka. Jam i kënaqur me këtë që kam bërë deri me tani këtë sezon dhe që po i ndihmojë skuadrës që të arrijë rezultate pozitive. Për mua, kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Krasniqi.
Sipas tij, gjuajtja e penalltive është barrë e madhe për secilin lojtar. Por, Krasniqi thotë se ka gjuajtur nga pika e bardhë edhe në klubet e tjera, që ka luajtur gjatë karrierës.
“Sa u përket penalltive, mendoj se penalltitë janë edhe fat. Jam i kënaqur që kam shënuar nga penalltia dhe me ato gola e kam ndihmuar ekipin. Penalltitë i kam gjuajtur edhe kur kam luajtur në klubet e tjera. Është një barrë shtesë, por ai që gjuan edhe mund ta humbë penalltinë. Shpresojë që kjo të mos më ndodh mua”, tha ai.
Krasniqi meritat për pikët e fituara ua lë edhe bashkëlojtarëve të ekipit. Ai mendon se pa ndihmën e tyre, as ai nuk do të arrinte të shënonte.
“Sigurisht, golat që kam shënuar më japim motiv që të punojë edhe më shumë dhe të arrijmë rezultatet që duam me ekipin. Jam i kënaqur që po kontribuoj në rezultatet pozitive të ekipit. Të gjitha që i kemi arritur, i kemi bërë së bashku, pasi vetëm nuk mund të bësh asgjë”, shtoi mbrojtësi i Prishtinës.
31-vjeçari e pranon se Prishtina nuk e ka nisur mbarë sezonin. Mirëpo, është i bindur se triumfi ndaj Drenicës në ndeshjen e fundit ka ardhur në momentin e fundit dhe mund të jetë pikë kthese për Prishtinën.
“Nuk e kemi filluar mirë kampionatin, por shpresoj që fitorja kundër Drenicës ka ardhur në momentin e duhur dhe besoj se do të rikthehemi ashtu siç dimë ne. Kemi mundur të bëjmë më shumë, por mendoj që nuk kemi pasur edhe fat në disa ndeshje, sidomos kundër Gjilanit që na e mori në fund një pikë dhe ndaj Llapit ku e humbëm ndeshjen në minutat e fundit”, ka pranuar Krasniqi.
Krasniqi e konfirmon me bindje të plotë se Prishtina nuk do të dorëzohet, por do të luftojë deri në fund të edicionit për ta mbrojtur titullin e fituar sezonin e shkuar.
“Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe mos të dorëzohemi për asnjë moment që ta mbrojmë titullin e kampionit. Objektivi ynë është ta mbrojmë titullin dhe deri në fund do ta japim më të mirën për ta arritur atë që duam. Në fund do të shohim, pasi kampionati është i gjatë”, u shpreh mbrojtësi i krahut të djathtë.
Krasniqi po ashtu lavdëroi lojtarët që i ka transferuar klubi para fillimit të kampionatit, duke insistuar se bëhet fjalë për futbollistë cilësorë.
“Të gjithë lojtarët që kanë ardhur te Prishtina për këtë edicion mund të them se janë superlojtarë dhe janë komponuar mirë me ekipin. Rezultatet jo të mira kanë të bëjnë me të gjithë neve, jo vetëm me ardhjet e reja në klub”, përfundoi Krasniqi.
Pas 12 xhirove të luajtura, Prishtina ka regjistruar katër fitore karshi, pas humbjeve dhe barazimeve. Krahas 14 golave të shënuar, Prishtina që drejtohet nga trajneri Zekirija Ramadani ka pranuar 12 sosh. Përveç Prishtinës, Besnik Krasniqi ka bërë karrierë edhe në Shqipëri, te Partizani, Teuta dhe Flamurtari i Vlorës. Ndërkaq në Kosovë ai ka veshur fanellën e Istogut, Gjilanit, Feronikelit, Vëllaznimi dhe Ballkanit, përpara se të rikthehet te Prishtina, aty ku u rrit dhe u bë i njohur si lojtar.