Sport

Golat e Hoxhës ndaj gjigantëve kroatë

Arbër Hoxha po kalon momente të mira me Slaven Belupon në elitën e Kroacisë. Të premten Hoxha shënoi dy gola në fitoren në udhëtim ndaj Shibenikut, 2:0.

Në 12 ndeshje këtë edicion, sulmuesi kosovar ka shënuar katër gola dhe ka asistuar një herë. Ka realizuar ndaj gjigantëve kroatë, Dinamo Zagrebit në “Maksimir” dhe Hajdukut të Splitit në “Polud”. 24-vjeçari është golashënuesi më i mirë i Slaven Belupos deri më tani.

Hoxha ka thënë të dielën për KOHËN se nuk duhet të kënaqet me atë që ka bërë deri tani. Thekson se është i fokusuar që të punojë dhe ta ndihmojë ekipin.

“Është e vërtetë që po kaloj nëpër një moment të mirë individual. Në moment të mirë jemi edhe si ekip, ku renditemi në pozitën e katërt në kampionatin e Kroacisë. Kjo pozitë në fund të edicionit siguron pjesëmarrjen në garat evropiane, edhe pse është ende herët të flasim për këtë. Mua më mbetet që të punoj dhe të mos kënaqem me këtë çfarë kam bërë deri tani. Duhet të vazhdoj ta ndihmoj ekipin që të arrijë rezultatet pozitive”, deklaroi Hoxha.

Ai thekson se të shënosh ndaj gjigantëve kroatë, Dinamos e Hajdukut, është ndjenjë e mirë.

“Është ndjenjë speciale që të shënosh në stadiume si ‘Maksimir’ e ‘Polud’, para numrit të madh të shikuesve që kanë të dy skuadrat”.

Hoxha u transferua te Slaven Belupo nga Lokomotiva e Zagrebit në verë të këtij viti.

Ka kontratë deri në vitin 2026.

Hoxha tregon se në fillim e ka pasur vështirë të ambientohet, por me ndihmën e të gjithëve, sidomos të trajnerit, ka arritur që shumë shpejt të bëhet pjesë e rëndësishme e Belupos.

“Në fillim e kam pasur pak të vështirë, pasi e ndërrova ekipin dhe çdoherë është vështirë derisa të ambientohesh. Por dua ta falënderoj shumë trajnerin që më ka përkrahur që nga dita e parë, e po ashtu edhe kryesia e klubit dhe bashkëlojtarët”.

Fokusi 100 për qind i Hoxhës është te Slaven Belupo dhe arritja e objektivit me klubin kroat.

“Synimet e mia këtë sezon janë që të shënoj dhe të asistoj sa më shumë dhe së bashku me bashkëlojtarët ta ndihmojmë klubin që të arrijë objektivat”, thotë Hoxha.

Arbër Hoxha ka qenë pjesë e Istogut, Prishtinës, Besës dhe Ballkanit në Kosovë. Nga Ballkani kaloi te Lokomotiva e Zagrebit vitin e kaluar. Pas një edicioni te Lokomotiva, u transferuar te Belupo.

Ka tri ndeshje dhe një gol të shënuar për Kosovën.