Prishtinë, 6 shkurt – Mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi, nuk e di nëse është duke e kaluar formën më të mirë ndonjëherë në karrierë. Por, në krahasim me edicionin e kaluar, këtë edicion ka paraqitje dukshëm më të mira. Ai në sezonin e shkuar u paraqit me Ballkanin dhe për pak nuk arriti ta fitojë titullin e kampionit. Megjithatë, Krasniqi mburret me të arriturat e deritashme me skuadrën e Prishtinës, ndonëse i ka mbetur peng që nuk arriti të shpallet kampion me Ballkanin.
Prishtina të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” fitoi me rezultatin 2:0 në kuadër të xhiros së 23-të kundër Llapit. E me një gol në këtë fitore kontribuoi edhe Krasniqi.
“Nuk e di nëse jam duke e kaluar sezonin më të mirë. Por duhet thënë se jam në një formë shumë të mirë. Jemi e gjithë skuadra në fakt, sepse pa ndihmën e të gjithë lojtarëve nuk do ta kisha këtë formë”, ka thënë Krasniqi të shtunën për KOHËN.
Ai shtoi se nuk po kënaqet me formën, pasi shpreson që ta ndihmojë ekipin edhe më shumë në objektivat, që i kanë kryeqytetasit në edicionin aktual.
“Nuk jam ende i kënaqur pasi duhet të vazhdoj të jap ende më të mirën time. Besoj se po të vazhdojmë në këtë mënyrë të gjithë, do të korrim suksese në fund”, theksoi ai.
Krasniqi në edicionin e shkuar krejt në fund nuk arriti që ta fitojë titullin. Madje mbeti edhe jashtë Evropës, pasi përfundoi në vendin e tretë me Ballkanin. Gjilani doli para tyre në renditje me pikë të njëjta sa i kishte edhe Drita, e cila u shpall kampione. Krasniqit i ka mbetur merak që nuk e arriti një sukses të tillë, por thotë se ai edicion i takon të kaluarës, dhe se shpreson që ky të jetë viti i Prishtinës.
“Vitin e kaluar mendoj se është gjynah që e kemi humbur titullin me Ballkanin. E kemi merituar me të vërtetë. Por shpresoj shumë që ky vit do të jetë i Prishtinës. Ne do të vazhdojmë njësoj deri në ndeshjen e fundit, në mënyrë që në fund ta fitojmë titullin”, thotë 31-vjeçari që karrierë ka bërë edhe me Feronikelin, Gjilanin, Llapin, Vëllaznimin, por edhe me Flamurtarin, Teutën e Partizanin në Shqipëri.
Me Ballkanin në sezonin e kaluar kishte shënuar dy gola dhe kishte kontribuuar edhe me tri asistime. Për krahun e djathtë të Prishtinës, megjithatë, nuk është e rëndësishme aq shumë shënimi i golave. Synimi është që skuadra të ketë suksese dhe të marrë rezultate pozitive.
“Mendoj se stili i lojës të cilin po e aplikojmë më ka ndihmuar shumë të jem edhe në sulm më i rrezikshëm. Megjithatë, gjëja kryesore është që të mbrohemi mirë, e më pas të mendoj edhe për fazën e sulmit”, theksoi Krasniqi.
Fakt interesant për Krasniqin në këtë edicion është se në duelet në të cilat ai ka shënuar apo asistuar në kampionat, Prishtina nuk ka pësuar disfatë. Krasniqi ka shënuar pesë gola, derisa ka kontribuuar edhe me tri asistime.
“Kjo statistikë qenka e mirë. Shpresoj që të jap sa më shumë gola”, thotë Krasniqi duke qeshur. “Më shumë rëndësi ka që skuadra të fitojë sesa të shënoj unë. Megjithatë, nuk do të ndalem”.
Golin tjetër për skuadrën e Prishtinës në fitoren 2:0 e realizoi Alban Shillova në minutën e 34-të. Me këtë fitore Prishtina ngrihet përkohësisht në pozitën e dytë në tabelë me 47 pikë, sa i ka edhe Drita që është e treta por ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Ndërkohë, të shtunën u luajt edhe një ndeshje në kuadër të kësaj xhiroje, në të cilën Gjilani e Arbëria luajtën baras – 1:1.
Superliga e Kosovës – 23
E premte:
Ballkani – Drenica 2:1
(Shënues: Hoxha 42’, Jashanica 48’ – Rogova 86’)
Besa – Trepça ’89 1:2
(Shënues: Halili 57’ – Rrahmani 24’, Jashari 63’)
E shtunë:
Prishtina – Llapi 2:0
(Shënues: Krasniqi 30’, Alban Shillova 34’)
Gjilani – Arbëria 1:1
(Shënues: Bruqi 61’ ag. – Marclei 84’)
E diel:
Feronikeli – Drita (13:30)
(Arbitra: T. Maloku, B. Selimaj, B. Morina, B. Jahmurataj)