Prishtinë, 4 shkurt – Njëmbëdhjetë skuadra të Superligës së Kosovës në futboll e kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u përforcuar në afatin kalimtar të janarit, i cili është mbyllur më 31 janar.
Gjithsej janë realizuar 45 transferime nga klubet e Superligës. Prej tyre 21 janë regjistruar se transferime ndërkombëtare (nga jashtë Kosovës), si dhe gjashtë janë huazime.
Vetëm Trepça ’89 ka hasur në pengesë shkaku i dënimit që kishte nga FIFA. Federata Ndërkombëtare e Futbollit ia kishte bllokuar klubit mitrovicas mundësinë e regjistrimit të lojtarëve. Dhe pasojat e atij dënimi 89-shi po i vuan ende.
“Minatorët” paguan dënimin prej 29 mijë e 300 eurosh, por nuk mundën të paraqesin lojtarë për regjistrim deri më 2 shkurt. Dhe rrjedhimisht regjistrimi i tyre ende nuk ka përfunduar. Këtë për KOHËN e ka pohuar menaxheri i sistemit të regjistrimit online të lojtarëve (TMS) në FFK, Dardan Sadiku.
Ai ka theksuar se 89-shi është në pritje që të konfirmohen dy lojtarët të cilët i ka paraqitur për regjistrim.
“Trepça ’89 i ka paraqitur për regjistrim dy lojtarë, por që ende nuk ka përfunduar regjistrimi i tyre. Trepça ’89 nuk ka mundur të bëjë kërkesë për regjistrim të lojtarëve deri më 2 shkurt shkaku i dënimit që ka pasur. Ajo mund të regjistrojë edhe më shumë lojtarë që janë të lirë”, tha Sadiku.
Ai ka shtuar se të gjitha klubet kanë të drejtë të regjistrojnë lojtarë edhe jashtë afatit kalimtar të janarit. Sadiku e ka sqaruar këtë çështje.
“Të gjitha klubet do të kenë të drejtë të regjistrojnë lojtarë edhe jashtë afatit kalimtar, por të cilët janë lojtarë të lirë dhe lojtarë që iu ka skaduar kontrata para datës 31 janar, ose e kanë shkëputur kontratën para kësaj date”.
Presidenti i Trepçës ’89 e ka konfirmuar për KOHËN në fillim të kësaj jave se e ka paguar dënimin. Zeka pret që lojtarët, të cilët do t’i paraqesin për regjistrim nuk do të kenë problem dhe do të regjistrohen. Zeka e ka fajësuar edhe Federatën e Futbollit të Kosovës, që sipas tij nuk e ka njoftuar klubin me kohë për dënimin që e kishte shqiptuar FIFA, pas padisë që kishte bërë PAS Gianina e Greqisë për futbollistin francez, Franck Betra.
Klubi që ka regjistruar më së shumti futbollistë në muajin që shkoi ishte Drenica nga Skenderaj. Trajneri i drenicasve, Bledar Devolli, ka sjellë në “Bajram Aliu” 11 lojtarë. Prej tyre shtatë nga jashtë Kosovës. Llapi është klubi i dytë më aktiv i elitës së futbollit kosovar. Trajneri Tahir Batatina e ka përforcuar skuadrën me nëntë lojtarë, dy prej të cilëve vijnë nga Evropa, portieri kroat Marijan Coriq dhe mbrojtësi me pasaportë të Belgjikës, Amir Abdelkader Hossari.
Ballkani, që emëroi për trajner, Bledi Shkëmbin, ka larguar disa lojtarë, kurse ka sjellë gjashtë futbollistë të rinj. Vetëm Arbër Shala dhe Damir Ljuljanoviq, janë regjistruar si transferim ndërkombëtar.
Me gjashtë futbollistë është përforcuar edhe Arbëria, që për herë të parë në histori të klubit po merr pjesë në Superligë.
Skuadrat që po luftojnë për titull të kampionit, si Drita dhe Prishtina, nuk kanë qenë shumë aktive. Kampionia në fuqi dhe e stinorit vjeshtor, Drita, ka regjistruar vetëm dy lojtarë të huaj, nigerianët Henry Austine Onoka dhe Esosa Pirestley Irogue. Kurse Prishtina ka rikthyer portierin Ardit Nika.
Dy skuadrat e tjera të Superligës, Gjilani dhe Feronikeli, kanë transferuar nga tre lojtarë, kurse Besa që është e fundit në renditje, është përforcuar me gjashtë lojtarë.
Më 10 shkurt do të zhvillohen ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës në futboll, ndërkaq më 13 shkurt do të nisë stinori pranveror.
Transferimet e afatit kalimtar të janarit
Drita
Henry Austine Onoka
Esosa Pirestley Irogue
Ballkani
Albin Berisha (huazim)
Diar Miftaraj
Arbër Shala
Dorent Hajdari
Damir Ljuljanoviq
Albnor Maliqi
Prishtina
Ardit Nika
Gjilani
Drin Govori
Qendrim Dautaj
Ardin Dallku
Feronikeli
Sokol Kiqina
Drinor Morina
Damir Kojaseviq
Arbëria
Elmir Lekaj
Aldin Agjoviq
Anes Hot
Gresild Lika
Chaves Santos
Andi Seferi
Llapi
Lis Behrami
Rilind Gerbeshi
Almedin Klinaku
Ilir Krasniqi
Enis Stublla
Drilon Ajeti
Marijan Çoriq
Albnor Maliqi
Amir Abdelkader Hossari
Drenica
Kreshnik Uka (huazim)
Dardan Rogova
Erlis Frashëri
Eglentin Gjoni
Kreshnik Lushtaku
Donald Rapo
Behar Ramadani
Jose Denisson
Klevis Shaqe
Dionis Cikani (huazim)
Harallamb Qaqi
Besa
Bekim Maliqi
Diellor Beseni
Ardi Qorri (huazim)
Dhurim Zhuri (huazim)
(Shënim: Trepça ’89 ka bërë dy kërkesa, por ende nuk i janë regjistruar)