Sport

Gjithnjë e më shumë minuta për Fisnik Asllanin në Bundesligë

Dy vjet më parë Fisnik Asllanit i mjaftoi vetëm një minutë për ta regjistruar debutimin në Bundesligën e Gjermanisë. Ai kishte luajtur në fitoren e Hoffenheimit ndaj Leipzigut, 2:0.

Më pas pushoi gjatë për t’u kthyer sërish në elitën gjermane. Sulmuesi kosovar rriti minutazhën gradualisht në vitin 2022. U paraqit ndaj Mainzit gjashtë minuta, derisa më vonë luajti 10, 13 dhe 16 minuta.

Këtë vit e nisi me 17 minuta, kurse të premten luajti 45 minuta në humbjen e Hoffenhemit ndaj Augsburgut, 1:0.

“Rritja në minutazhë është e dukshme. Tani presim sa më shumë lojë të bëjmë dhe të punojmë sa më shumë në mënyrë që të luaj në një ndeshje nga fillimi dhe ta shënoj golin e parë në Bundesligë”, ka thënë Asllani të dielën për KOHËN.

Ai tregon se pas ndeshjes ka ndërruar fanellën me yllin e Augsburgut, Mërgim Berisha. Pjesë e Augsburgut është edhe Elvis Rexhbeçaj.

“Kemi biseduar me Mërgimin dhe Elvisin. Kemi pasur biseda të mira edhe në fillim të pjesës së dytë me Mërgimin, e pas lojës edhe me Elvisin. Kishim bisedë të mirë dhe iu uroj suksese të dyve. Jemi shoqëruar dhe më pas me Mërgimin i kemi ndërruar fanellat. Kemi pasur bisedë shumë të mirë. Kemi folur për lojë, si kemi luajtur. Më shumë për futboll. Për mua ka qenë një ndjenjë shumë e mirë që kam folur me Mërgimin, sepse ai është duke luajtur shumë mirë. Ka qenë një ndjenjë shumë e mirë për mua që ta ndërroj edhe fanellën dhe të flas me të”, është shprehur Asllani.

20-vjeçari thotë se lëndimet e kanë munduar shumë në vitet e kaluara.

“Një kohë shumë e vështirë. Kam filluar te Hoffenheimi me lëndime, me shumë në vitet e kaluara. I kam përballuar, si njeri dhe si futbollist kam mësuar shumë gjëra. Kam mësuar se kur nuk shkon jeta ashtu siç duhet dhe e paramendon, sërish duhet të punosh shumë dhe të mos e humbësh arritjen nga sytë. Kam mësuar të mos e humb intensitetin”, ka thënë Asllani.

Ai vlerëson se ka pasur paraqitje të mirë ndaj Augsburgut.

“Në fillim të sezonit kam luajtur tek ekipi i dytë. I kam bërë disa lojë të mira, kam dhënë gola, kam bërë asistime. Tani me shumë punë që kam bërë kam arritur të luaj me ekipin e parë në Bundesligë. Luajta edhe ndaj Augsburgut së fundmi. Mendoj se kam luajtur mirë”.

Asllani në vitin 2020 iu bashkua ekipit të dytë të Hoffenheimit nga të rinjtë e Union Berlinit. Me klubin elitar të Gjermanisë ka kontratë deri në qershor të vitit 2026. Ndeshja debutuese në Bundesligë ka qenë moment i veçantë për Asllanin.

“Ka qenë gjë shumë e veçantë. Është kujtim shumë i mirë. Emocionet në ndeshjen e parë ndaj Leipzigut kanë qenë shumë të veçanta. Loja ndaj Leipzigut ka qenë ëndërr për mua dhe u bë realitet në atë ditë. Dhe e kam bërë krenare familjen time. Ka qenë ditë shumë e mirë të cilën nuk mund ta harroj”, është shprehur Asllani.

Asllani ka treguar paraqitje të mira me ekipin e dytë. Në dhjetë ndeshje ka shënuar tetë gola dhe ka kontribuar me tri asistime. Por ai është në pritje të golit në Bundesligë.

“Jam shumë i kënaqur. E kam dhënë maksimumin për aq sa kam mundur të bëj dhe nga trajnerët dhe lojtarët kam pasur fjalë shumë të mira për lojë, për lojën time. Tash shpresoj që do të marr sa më shumë minutazhë në mënyrë që ta shënoj golin e parë në Bundesligë”.

Asllani ka lënë prapa telashet me lëndime.

“Lëndimet falë Zotit i kam lënë prapa dhe tani po shikoj rrugën përpara dhe po e jap maksimumin gjithmonë. Po ruhem edhe nga lëndimet dhe po punoj shumë në mënyrë që të kem karrierë me sa më pak lëndime”, ka thënë kosovari.

Asllani thotë se nuk e harron as klubin ku u zhvillua si lojtar, Union Berlinin. Ai i përcjell rregullisht ndeshjen e ish-skuadrës. Nuk mendon të bëjë një lëvizje të shpejtë nga Hoffenheimi.

“Planet në karrierë janë tek ekipi i parë i Hoffenheimit, të luaj sa më shumë lojë dhe të jap sa më shumë gola. Gjërave të tjera ua lë kohës”, është shprehur futbollisti që luan për U20 e Gjermanisë.

Para se të luante fillimisht për U18 e Gjermanisë, Asllani pesë ndeshje i ka zhvilluar për U17 të Kosovës.

Kosova mbetet opsion i hapur për Asllanin.

“Momentalisht babai im është në bisedime me Kosovën. Unë jam i koncentruar te Hoffenheimi. Dua të bëj sa më shumë lojë te Hoffenheimi. Për gjërat e tjera babai im është në bisedime me ta. Ka mundësi që një ditë ta vesh fanellën e Kosovës”, ka thënë Asllani.

Mërgim Berisha, Elvis Rexhbeçaj, Diant Ramaj janë tre kosovarët e tjerë në Bundesligës që i synojnë “Dardanët”.