Skuadra e Gjilanit ka shtyrë edhe ndeshjen e dytë këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll.
Pasi nuk luajti në xhiron e parë ndaj Fushë Kosovës, duke kërkuar shtyrjen e këtij dueli për kohë të pacaktuar, tani Gjilani ka shtyrë edhe ndeshjen kundër Prishtinës.
Megjithatë, këtë ndeshje ka kërkuar ta shtyejë për pak ditë dhe kërkesa i është aprovuar nga Komisioni i Garave në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Ndeshja e xhiros së dytë kundër Prishtinës, e paraparë të zhvillohet të shtunën (19 gusht), është shtyrë për të hënën (21 gusht).
Në këtë ndeshje që starton prej orës 17:00, Gjilani është vendas. Prishtina ka startuar me fitore edicionin e ri, pasi vikendin e shkuar triumfoi 3:1 ndaj Feronikeli ’74.