Për qendërmbrojësin e Gjilanit, Arbër Prekazi, derbi ndaj Dritës është i pari në karrierën e tij të pasur në futbollin e Kosovës. Prekazi, që iu bashkua Gjilanit para fillimit të këtij edicioni, thotë se do të jetë i privilegjuar që do ta shijojë atmosferën në derbin e zjarrtë të qytetit. Dëshira e tij është që Gjilani ta fitojë këtë ndeshje dhe të gëzojë tifozët, pasi siç thotë Prekazi, derbi luhet për tifozët. Në fakt dueli mes Dritës dhe Gjilanit do të jetë kryesori i xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll, që nis të shtunën. Derbi më i madh në vend luhet të dielën prej orës 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Derbi është zhvendosur në kryeqytet pas kërkesës së Dritës që është nikoqire, për shkak të punimeve në stadiumin e qytetit në Gjilan. Kjo do të jetë hera e dytë në vitet e fundit që derbi i qytetit të Gjilanit luhet në Prishtinë. U pat luajtur edhe në vitin 2019 dhe pati përfunduar pa gola.
Në njoftimin e Dritës thuhet se “derbi më i madh lokal do të zhvillohet në Prishtinë, për shkak të punimeve në stadium dhe sigurisë së tifozëve tanë”.
Prekazi thotë se Gjilani është maksimalisht i përgatitur për këtë derbi dhe pret që ta ketë përkrahjen e “Skifterave” në tribuna. Gjilani në këtë takim futet pas dy barazimeve dhe humbjes së papritur në xhiron e kaluar. Pësoi nga Ulpiana (3:2) në shtëpi. Zë vendin e gjashtë në tabelë me gjashtë pikë, sa i ka edhe Feronikeli që është i pesti në tabelë, por me goldallim më të mirë.
“Për mua ky derbi do të jetë i pari në karrierë dhe normalisht ndihem i privilegjuar që do të jem pjesë e tij. Në aspektin personal ndihem shumë mirë dhe i gatshëm për lojë, pasi që kam lënë prapa një lëndim jo të lehtë. Do të jap maksimumin nga ana ime për ta ndihmuar skuadrën drejt realizimit të objektivave për këtë përballje. Ekipi është i përgatitur në maksimum dhe të motivuar po e presim këtë përballje. Presim mbështetjen e tifozëve normalisht në këtë përballje, sepse ky derbi luhet për ta dhe ne do të luftojmë për ta”, ka insistuar Prekazi.
Drita dhe Gjilani do ta luajnë derbin numër 37 në kuadër të Superligës. Drita ka bilanc më të mirë, ku ka shënuar 14 fitore, 12 ndeshje janë mbyllur me rezultat të barabartë dhe dhjetë herë ka triumfuar Gjilani. Në sezonin e ri Drita ka 11 pikë pas pesë ndeshjeve dhe renditet e dyta në tabelë me pikë të njëjta me Ballkanin që është lider. Nënkampionia në fuqi, Drita, së bashku me Ballkanin, janë skuadrat e vetme që këtë edicion nuk dinë për humbje.
“Në fakt e kemi ditur që do të jetë i vështirë organizimi i derbit në qytetin tonë për shkak të punimeve dhe sigurisë së ulët. Për ne nuk ka rëndësi se ku do të luajmë, madje do të jetë fushë më e mirë ajo në ‘Fadil Vokrri’ dhe neve na konvenon për shkak të cilësisë në skuadër. Mendoj që për të dyja ekipet është më mirë”, ka thënë kapiteni i Dritës, Ard Limani, që ka insistuar se ekipi i trajnerit Ardian Nuhiu do të futet në fushë vetëm për fitore. “Ne jemi gati të vazhdojmë serinë e mirë dhe nuk shohim rezultat tjetër përpos fitores, megjithëse do të jetë ndeshje shumë e vështirë sepse edhe Gjilani ka shumë cilësi në skuadër. Unë mendoj që kudo që do të luajmë do t’i kemi prapa tifozët tanë. Nuk do të jetë asnjë problem për ta dhe jemi të sigurt që do t’i kemi me vete në Prishtinë”.
Të dielën do të zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera në kuadër të kësaj xhiroje. Skuadra e Malishevës e pret në shtëpi Ballkanin, që ka tri fitore karshi dy barazimeve. Ndërkohë, Malisheva, që po debuton këtë edicion në elitë, ka një pikë më pak se Ballkani dhe zë vendin e tretë në tabelë.
Në Drenas, Feronikeli e pret Prishtinën.
Ndërkohë, xhiroja e gjashtë nis të shtunën. Ulpiana, që javën e shkuar ka shënuar fitoren e parë, përballet në Suharekë me Dukagjinin, ekip që ende nuk di për fitore. Ndërsa, në Merdar, skuadra e Llapit, që po ashtu ende nuk ka fitore këtë sezon, përballet me Drenicën.
Superliga – VI
E shtunë (15:00)
Ulpiana – Dukagjini
Llapi – Drenica
E diel (15:00)
Drita – Gjilani
Malisheva – Ballkani
Feronikeli – Prishtina
1. Ballkani 5 3 2 0 8:4 11
2. Drita 5 3 2 0 5:1 11
3. Malisheva 5 3 1 1 8:3 10
4. Drenica 5 3 1 1 6:5 10
5. Feronikeli 5 2 0 3 4:4 6
6. Gjilani 5 1 3 1 5:5 6
7. Prishtina 5 1 2 2 5:6 5
8. Ulpiana 5 1 1 3 7:10 4
9. Dukagjini 5 0 2 3 4:7 2
10. Llapi 5 0 2 3 1:8 2