Te Gjilani janë të vendosur për t’i dhënë fund serisë së humbjeve dhe atë në ndeshjen derbi kundër skuadrës së Prishtinës, që zhvillohet në kuadër të xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Se humbje të re nuk pritet të ketë për Gjilanin, thotë mesfushori i kësaj skuadre, Muhamed Useini. Ndeshja ndërmjet Gjilanit e Prishtinës zhvillohet të mërkurën prej orës 13:00. Skuadra e Gjilanit, aktualisht është në krizë të rezultateve, e cila solli edhe largimin e trajnerit Gentjan Mezani javën e shkuar.
Gjilani në tri ndeshjet e fundit ka regjistruar po aq humbje dhe zë vendin e katërt në tabelë me 23 pikë të mbledhura. Ndërkohë, Prishtina është e treta me 25 pikë dhe nuk di për humbje në gjashtë ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar katër fitore e dy barazime.
Në fakt, dueli mes Gjilanit dhe Prishtinës është më interesanti i kësaj jave, që është e parafundit në kuadër të pjesës së parë të këtij sezoni.
Te Gjilani insistojnë se do të dalin në fushë për ta fituar ndeshjen që e shohin si opsion të vetëm pas humbjeve rresht. Gjilani është mposhtur nga Trepça ’89 (3:0), Drita (3:2) dhe Arbëria (1:0).
“Normalisht, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Është derbi i vërtetë dhe momentet e caktuara do ta vendosin fituesin. Ne do ta respektojmë Prishtinën, sepse është një ekip i fortë, mirëpo pas ecurisë negative që e kemi pasur, mendoj se është koha dhe momenti i duhur që të kthehemi te fitorja. Kështu që në këtë ndeshje synojmë tri pikët”, është shprehur Useini.
Te Prishtina duan të shfrytëzojnë momentin e keq nëpër të cilin po kalon Gjilani në javët e fundit dhe po synojnë që t’ia shkaktojnë edhe humbjen e katërt rresht. Mbrojtësi i krahut të majtë, Besnik Krasniqi beson se Prishtina mund të kthehet me pikë të plota nga udhëtimi në Gjilan, ndonëse ka pranuar se nuk do të jetë lehtë, për shkak se përballë kanë një ekip shumë cilësor.
“Konsideroj se jemi të përgatitur dhe motivuar maksimalisht për përballjen e radhës kundër Gjilanit, që është një kundërshtar i fortë. Mirëpo, udhëtojmë me vetëbesim të plotë për t’i marrë tri pikët”, është shprehur Krasniqi.
Të mërkurën zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera në kuadër të xhiros së 17-të. Në Skenderaj, skuadra e Drenicës e pret kampionen në fuqi dhe lideren e Superligës, Dritën. Skuadra e Drenicës ka katër humbje në katër ndeshjet e fundit dhe renditet e teta në tabelë me 18 pikë të mbledhura, 18 më pak se Drita që nuk di për humbje që nga java e shtatë (21 tetor), që ia shkaktoi Ballkani. Ajo është e vetmja humbje këtë edicion për skuadrën e trajnerit Ardian Nuhiu.
Ndërkohë, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, Feronikeli shihet si favorit përballë Besës që zë vendin e fundit në tabelë me vetëm gjashtë pikë.
Xhiroja e 17-të do të mbyllet të enjten me dy ndeshje. Ballkani do të përpiqet të këndellet pas humbjes që ia shkaktoi Drita vikendin e shkuar, në ndeshje kundër Trepçës ’89 derisa Arbëria e Dobrajës e pret skuadrën e Llapit. Skuadra e Llapit i ka fituar dy ndeshjet e fundit, por mbetet në pozitën e nëntë në tabelë me 14 pikë të tubuara. Arbëria që po luan për herë të parë në Superligë, ka 20 pikë dhe renditet në pozitën e gjashtë.
Superliga – XVII
E mërkurë (13:00)
Gjilani – Prishtina
(Arbitra: D. Çaka, F. Berisha, B. Selimaj, S. Isufi)
Drenica – Drita
(Arbitra: G. Nuza, G. Hyseni, M. Berisha, T. Maloku)
Feronikeli – Besa
(Arbitra: V. Hoxha, F. Jakupi, Z. Rrahimi, Sh. Murtezi)
E enjte (13:00)
Ballkani – Trepça ‘89
(B. Kasumi, L. Muhadri, A. Bullatovci, L. Jashari)
Arbëria – Llapi
(Arbitra: M. Ajeti, D. Rexhepi, A. Zhegrova, A. Shala)
