Shumë prej të rinjve gjilanas do të dëshironin që të enjten prej orës 13:00 të jenë në stadiumin e qytetit për të përkrahur Gjilanin apo Dritën. Por, vetëm pak prej tifozëve do ta kenë mundësinë që ta përcjellin nga afër derbin më të madh në Kosovë.
Numri i shikuesve do të jetë i kufizuar, si masë parandaluese ndaj përhapjes së koronavirusit e po ashtu për shkak të punimeve në stadium.
Të dy ekipet premtojnë maksimumin për t’i gëzuar shikuesit e tyre, Gjilani “Skifterat”, ndërsa Drita “Intelektualët”. Gjilani është vendas në derbin që i takon xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja është dashur të zhvillohet të mërkurën, por është shtyrë për të enjten për shkak se në Kosovë është shpallur ditë zie në shenjë nderimi për viktimat e aksidentit në Bullgari, ku humbën jetën 46 veta, shumica shqiptarë të Maqedonisë e Veriut.
Gjilani e Drita, janë në krye të tabelës me nga 25 pikë. Për trajnerin e Gjilanit, Ismet Munishin, në derbi ka pak rëndësi pozita.
“Pavarësisht ku ndodhemi të dyja skuadrat, Gjilani dhe kundërshtari ynë, derbi gjithmonë prodhon momente dhe rezultate të paparashikuara dhe kjo është e veçantë në futbollin e Kosovës. Për këtë arsye është derbi më i madh në futbollin tonë. Qetësia te ne vjen si rezultat i formës së mirë si ekip, e po ashtu edhe individuale. I kemi lënë pas lëndimet që i kemi pasur dhe tash mund të them që jemi të kompletuar në të gjitha repartet dhe lojtarët që llogarisim”, ka thënë Munishi.
Ai pranon se derbi mund të humbet apo të përfundojë baras. Por, Munishi insiston se ekipi i tij do të dalë fitues.
“Unë ende nuk i kam bërë detyrat e shtëpisë, do t’i bëjë në mbrëmje. E njohim kundërshtarin dhe do t’i marrim masat. Edhe kundërshtari na njeh mirë dhe do të përgatitet për ne. Kundërshtari i ka disa pika të forta dhe dobësitë e veta. Ne do të hyjmë për fitore, në derbi janë tri rezultatet e mundshme, por ne do të hyjmë për fitore”.
Gjilanit do t’i mungojnë Besar Musolli, Muhamed Useini dhe Fiton Hajdari, ndërsa Drita pritet të jetë e kompletuar.
dhe shumica e bashkëlojtarëve e kemi përjetuar vetëm një herë derbin dhe mëtojmë që edhe derbin e dytë ta fitojmë dhe ta ruajmë pozitën e parë. Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë. Drita ka një skuadër të mirë, të dyja luajmë në stadiumin e njëjtë dhe do të jetë një derbi i vështirë. Me karakterin dhe punën që kemi bërë besoj se do t’ia dalim të fitojmë këtë derbi”, thotë Arbër Prekazi, mbrojtës i Gjilanit.
Te skuadra e Dritës ende nuk janë pajtuar me humbjen e pësuar nga Gjilani në derbin e parë të këtij edicioni të zhvilluar më 26 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”. Drita e humbi 2:0 ndeshjen e xhiros së gjashtë, ndërsa tani synon hakmarrjen.
“Ky derbi gjithmonë ka qenë i zjarrtë dhe tani edhe klasifikimi e bën të veten. Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne, e rëndësishme dhe e veçantë veçanërisht për tifozët tanë. Kam besim që skuadra do të ketë motiv të veçantë që të futemi dhe të përballemi me një kundërshtar që ka skuadër të mirë me cilësi. Do të analizojmë kundërshtarin në çdo detaj. Është skuadër, që përveç si grup luan mirë, ka edhe individë që dinë ta zgjidhin ndeshjen. Do të analizojmë dhe të përgatitemi mirë që mos të pësojmë sikur në ndeshjen e kaluar nga një goditje. Ekipi është gati dhe kam besim te djemtë se do ta japim maksimumin”, thotë Ardian Nuhiu, trajner i Dritës.
Nuhiu thotë se për trajnerët është më e lehtë përgatitja e një derbi. Ai insiston se futbollistët nuk kanë nevojë për motiv shtesë, ndërsa pret nga lojtarët ta shijojnë derbin dhe në fund ta fitojnë.
“Personalisht ua them lojtarëve të mi që janë me fat të luajnë në ndeshje të tillë, sepse është mundësi shumë e mirë, ndeshje që duhet ta shijosh. Do të jetë ndeshje e mirë, ndeshje e hapur, spektakël ku gjithashtu nuk do të na mungojnë edhe shikuesit dhe shpresoj të fitojë futbolli”.
Edhe një prej lojtarëve që është gjatë pjesë e Dritës, Astrit Fazliu, thotë se janë të motivuar për ta fituar derbin e dytë të edicionit aktual.
“Fjala derbi të motivon dhe të përgatitë më shumë se ndeshjet e tjera edhe pse ne jemi profesionistë dhe përgatitemi maksimalisht për çdo ndeshje. Por, derbi sikurse në gjithë botën edhe te ne është i veçantë dhe luhet për tifozë, pasi tifozët kanë rivalitetin e tyre dhe secili pret që ekipi i tyre të fitojë. Ne do ta japim më të mirën nga vetja për të arritur te fitorja”.
Gjilani në 14 ndeshje ka shënuar gjashtë fitore, shtatë barazime dhe ka pësuar vetëm një disfatë, kurse Drita ka shënuar shtatë fitore, ndërsa ka barazuar katër herë dhe ka pësuar tri disfata. Të enjten luhen edhe Drenica – Llapi dhe Ballkani – Malisheva.
Superliga – 15
E enjte (13:00)
Gjilani – Drita
Drenica – Llapi
Ballkani – Malisheva
E martë
Prishtina – Feronikeli 2:0
Dukagjini – Ulpiana 0:0
- Gjilani 14 6 7 1 18:12 25
- Drita 14 7 4 3 14:9 25
- Ballkani 14 6 6 2 18:13 24
- Llapi 14 6 3 5 20:16 21
- Prishtina 15 5 6 4 17:13 21
- Drenica 14 6 2 6 17:14 20
- Ulpiana 15 4 5 6 16:24 17
- Dukagjini 15 3 7 5 11:13 16
- Malisheva 14 4 3 7 12:13 15
- Feronikeli 15 3 1 11 5:21 10