Sport

Gjilani për të siguruar Evropën, Drita për titull

Gjilani nuk ka fituar ndaj Dritës që prej 25 nëntorit të vitit 2021. Prej atëherë ka dy humbje e tri barazime në ndeshjet me rivalen lokale. Në cilësinë e nikoqirit, Gjilani nuk ka humbur nga Drita prej fundit të nëntorit të vitit 2020, kur ishte mposhtur 3:2. Ka tri barazime e një fitore.

Fitoren tjetër në derbin lokal skuadra “kuqebardhë” do ta kërkojë të dielën në kuadër të xhiros së 34-t të elitës së futbollit kosovar. Me pikët e plota, Gjilani do ta siguronte paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës në edicionin e ardhshëm. Tjetër rast për dalje në Evropë, Gjilani ka edhe nëpërmjet Kupës së Kosovës, ku në finale do të luajë kundër Prishtinës.

Gjilani dhe Drita takohen nga ora 15:00 në fushën me bari sintetik. Pikët janë me peshë edhe më të madhe pë Dritën, që është në garë për titull të kampionit.

Pritet ndeshje interesante, por pa atmosferën e zakonshme në tribuna. Në mungesë të një stadiumi që plotëson kushtet, edhe ky derbi është vendosur të luhet pa praninë e shikuesve.

Mungesën e tifozëve nuk e kanë pritur mirë dy ekipet. Është vlerësuar se derbi më i madh i futbollit kosovar nuk e ka bukurinë e vet pa praninë e “Skifterave” dhe “Intelektualëve”.

“Ndeshjet derbi janë gjithmonë të veçanta, sidomos kur përballen rivalët e qytetit. Ne si futbollistë e kemi kuptuar rëndësinë e kësaj ndeshje edhe për tifozët. Jemi përgatitur dhe presim të japim maksumimin. Krahas nevojës për t’i siguruar pikët e Evropës, derbin do ta luajmë edhe për tifozët. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë dhe në fund të gëzohemi së bashku”, ka thënë të shtunën për KOHËN sulmuesi i Gjilanit, Mevlan Zeka.

Drita para se të mposhtej nga Ballkani në xhiron e kaluar në shtëpi, 2:1, kishte seri prej gjashtë fitoreve e katër barazimeve.

Trajneri Akis Vavalis debutoi me fitore ndaj Ferizajt, mposhti Llapin, por humbi nga Ballkani. Pavarësisht disfatës, Drita vazhdon të mbetet në pozitën e parë, por ka pikë të njëjta me Ballkanin e vendit të dytë, nga 66 gjithsej.

Gjilani është në pozitën e tretë me 51 pikë.

Një tjetër gabim i Dritës, do të mund t’i kushtonte në luftën për titull kampioni.

“Në këto ndeshje nuk është shumë e rëndësishme gjendja e ekipit apo cilit ekip i duhen pikët. Gjëja më e rëndësishme në këto ndeshje është motivimi. Kjo ndeshje është ndryshe nga ndeshjet tjera. Gjilani thuajse e ka siguruar kualifikimin në Ligën e Konferencës, por do të jetë shumë i motivuar kundër nesh për shkak të rivalitetit lokal”, ka thënë Vavalis në konferencën për shtyp të mbajtur të shtunën. Vavalis zëvendësoi Arsim Thaqin që dha dorëheqje në mesin e muajit prill. Thaqi e kishte zëvendësuar Ardian Nuhiun që ishte larguar në fund të nëntorit. Pra greku Vavalis është trajneri i tretë i skuadrës së Dritës në këtë edicion.

Mbrojtësi i krahut të djathtë te Drita, Besnik Krasniqi, ka vlerësuar se do të jetë derbi i fortë.

“Do ta japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje dhe për ta mbajtur vendin e parë sepse në derbi tregohet më së miri lufta dhe gjithë lojtarët dëshirojnë fitoren. Për mua është derbi i tretë dhe e di çfarë vlere ka për tifozët dhe është shumë mirë nëse e fitojmë derbin. Mendoj se është një ndeshje që përcakton titullin e kampionit”, është shprehur Krasniqi.

Në rast se Drita dhe Ballkani e mbyllin edicionin me pikë të njëjta, kampione shpallet Drita pasi në ndeshjet e ndërsjella është më e mirë. Dy prej ndeshjeve kanë përfunduar baras, ndërsa secila e ka nga një fitore. Por, dallimin e bën fitorja 2:0 e Dritës në Suharekë më 11 shtator.

Në xhiron e 35-të Drita e pret Malishevën kurse Ballkani e pret Ferizajn. Në xhiron e fundit, Drita luan në udhëtim te Drenica derisa Ballkani luan si mysafir ndaj Gjilanit.

Superliga – 34

E diel (15:00)

Gjilani – Drita

Ballkani – Llapi

Malisheva – Prishtina

Ferizaj – Trepça ‘89

Drenica – Dukagjini


1.Drita 33 19 9 5 59:28 66

2. Ballkani 33 18 12 3 59:32 66

3. Gjilani 33 13 12 8 31:31 51

4. Prishtina 33 11 11 11 40:32 44

5. Dukagjini 33 12 8 13 33:33 44

6. Llapi 33 11 9 13 40:44 42

7. Malisheva 33 10 9 14 47:49 39

8. Trepça ’89 33 9 10 14 43:57 37

9. Ferizaj 33 8 11 14 28:47 35

10. Drenica 33 6 5 22 24:51 23