Sport

Gjilani nuk ka të ndalur, me gjithë paqartësitë e mëdha rreth klubit

Kanë kaluar gati dy muaj që prej dorëheqjes së Florim Zukës nga posti i presidentit të klubit Gjilani. Zuka në arsyetimin e tij pati thënë se nuk është përmbushur objektivi kryesor i viteve të fundit – titulli i kampionit.

Prej atëherë klubi vazhdon të mos ketë president dhe kryesi. Të paktën jozyrtarisht.

Ndonëse pa drejtues, Gjilanit nuk i kanë munguar rezultatet, që ishte brenga kryesore e shprehur nga Zuka.

Gjilani është lider i Superligës pas pesë xhirove të zhvilluara deri më tani.

“E jona është ta bëjmë punën tonë në fushë dhe do ta bëjmë derisa të mundemi, kurse politikën e klubin e bëjnë drejtuesit dhe besojmë që gjërat do të rregullohen”, ka thënë të martën trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani.

Te Gjilani nuk po ekspozohen shumë në fillim të edicionit. Edhe paraqitjet në studiot televizive i kanë të rralla. Preferojnë të mos flasin rreth situatës që është krijuar në klub para se të nisë sezoni aktual.

Te Gjilani vazhdojnë të jenë të matur në deklarimet para dhe pas ndeshjeve. Nuk preferojnë të flasin shumë edhe për objektivat.

Trajneri shkupjan thotë se do të vazhdojnë të përgatiten për “ndeshjen e radhës”.

“Lojtarët janë profesionistë të vërtetë dhe si çdo profesionist edhe ata japin maksimumin në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje. Ruajtja e pozitës është e rëndë dhe kjo i motivon futbollistët më tepër. Vlerësoj mundin e futbollistëve që janë më meritorët për këtë ecuri pozitive në këtë fillim të kampionatit. Besoj që po e shihni që nuk kemi eufori pas titullit, por thjesht po mundohemi që të jemi sa më të përgatitur për ndeshjen e radhës dhe kështu do të vazhdojmë”, është shprehur Ramadani.

Për shkak të largimit të Zukës nga posti i presidentit u krijua një ide se Gjilani nuk do të jetë në mesin e favoritëve për ta fituar titullin e kampionit. Por, në fushë po del ndryshe.

“Nuk dua të komentoj deklarimet e të tjerëve. Ne e shohim punën tonë aty ku na takon. Favoritë për titull janë të gjitha skuadrat që kanë objektiv titullin. Mendoj që këtu ka vend edhe për ne si SC Gjilani”, ka theksuar Ramadani.

Ramadani në Kosovë ka punuar edhe me disa klube të tjera. Ka fituar titullin e kampionit me Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën.

Edhe kapiteni i Gjilanit, Besar Musolli, nuk lëshohet shumë në premtime.

“Fjala jonë është puna. Disiplina dhe puna janë elementet që e karakterizojnë këtë grup të lojtarëve, të cilët me të vërtetë po japin gjithçka nga vetja dhe me të drejtë kemi arritur këto rezultate”, ka thënë Musolli për KOHËN.

Ai ka theksuar se te Gjilani nuk mendojnë për fundin e kampionatit.

“Ecuria e rezultateve është motiv shtesë për ne. Objektivi është vetëm ndeshja e radhës dhe nuk jemi lëshuar shumë në aventura sa i përket rezultatit final, i cili do të jetë këtë edicion”, është shprehur Musolli.

Musolli thotë se kanë motivimin për ta dhënë maksimumin në çdo stërvitje dhe ndeshje.

“Shpresojmë që me ndeshje të forta, disiplinë dhe karakter të marrim atë që dëshirojmë. Nuk duhet harruar punën e jashtëzakonshme të stafit që ka bërë me këtë grup të lojtarëve dhe mbështetjen e tifozëve, të cilët nuk po mungojnë as në seancat stërvitore”, ka thënë Musolli.