Gjilani e ka të qartë synimin për ndeshjen e kthimit të rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Te skuadra gjilanase duan që të dalin triumfues nga stadiumi “Daugava” në Liepaja të Letonisë.
Të enjten nga ora 16:00 Gjilani takohet me skuadrën letoneze, Liepaja, të cilën para një javë e mposhti 1:0 në Prishtinë. Albert Dabiqaj kishte shënuar golin në pjesën e parë, por letonezët në fund të ndeshjes rreshtuan rastet në tentim të barazimit të rezultatit. Ndonëse ishin të rrezikshëm, lojtarët e Liepajas nuk konkretizuan dhe Gjilani mori fitore të vlefshme. Atë fitore skuadra gjilanase synon ta mbrojë në Letoni.
Gjilani të mërkurën ka udhëtuar për në Letoni, ndërsa pasdite ka zhvilluar stërvitje në stadiumin e ndeshjes.
“Kemi arritur mirë në Liepaja dhe kemi mbaruar stërvitje e fundit para ndeshjes. Ekipi është i gatshëm për luftë sportive dhe presim që të gjithë futbollistët që do të luajnë, të japin maksimumin dhe të bëjnë më të mirën e tyre të mundshme”, ka thënë për KOHËN trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani.
Ai do të ketë më shumë opsione për ndeshjen e kthimit.
“Janë kthyer nga suspendimi Mevlan Zeka dhe Agustin Torassa, që besoj se do të na ndihmojnë në këtë sfidë. Shpresojmë që në fund do të dalim të gjithë triumfues”, ka shtuar Ramadani.
Tifozët e Gjilanit presin shumë nga kapiteni, Albert Dabiqaj. Nëse Dabiqaj shfaq ndeshje të madhe, gjasat për sukses janë më të mëdha.
“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë sfidë. Presim të japim maksimumin dhe të kualifikohemi tutje. Klubi ynë e meriton këtë gjë”, ka thënë Dabiqaj pas stërvitjes së fundit.
Gjilani për herë të dytë luan në gara kontinentale. Në edicionin 2020/2021 ishte paraqitur në Ligën e Evropës. Në rundin preliminar kishte ndalur Tre Pennen e San Marinos. Në rundin e parë kualifikues pësoi nga APOEL-i qipriot.
Liepaja ka nivel më të lartë se Tre Penne, por nuk e ka cilësinë e APOEL-it. Por në Prishtinë dëshmoi që ka nivel dhe për këtë Gjilanin e pret ndeshje e vështirë.