Erdhi në krye të klubit të futbollit Gjilani në fillim të vitit 2017. Synimi i tij ishte i qartë, titulli i kampionit dhe ngritja e klubit në nivel të lartë. Ia doli të rregullonte shumë gjëra, ta ngrejë Gjilanin shumë lart, por jo edhe ta sjellë titullin më të çmuar të futbollit kosovar në Gjilan. Si rezultat i mospërmbushjes së këtij synimi, Florim Zuka të hënën ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të klubit të Gjilanit. Ai ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se pavarësisht organizmit të mirë dhe daljes në Evropë të klubit, titulli nuk u arrit. Zuka udhëhoqi Gjilanin për pesë vjet e gjysmë.
“Megjithëse kemi krijuar një organizim dhe stabilitet të kënaqshëm ku për këtë periudhe kohore dy herë kemi siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane, prapëseprapë duhet ta pranojmë se nuk e kemi arritur qëllimin final, që ka qenë titulli kampion. Me gjithë rezultatet e arritura, konsiderojmë se kjo nuk ka qenë e mjaftueshme dhe për këtë arsye që nga momenti i publikimit të këtij njoftimi ofroj dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit te klubit SC Gjilani. Njëkohësisht edhe kryesia aktuale është e dorëhequr së bashku me mua”, ka shkruar Zuka.
Ai ka shtuar, ndër të tjera, se gjatë kësaj periudhe është kujdesur që në aspektin financiar të mos kenë probleme në klub. Në fakt, Gjilani ka qenë ndër ekipet më stabile në aspektin financiar vitet e fundit.
“Të nderuar qytetarë të Gjilanit, adhurues të futbollit në Kosovë dhe më gjerë.
Në fillim te vitit 2017 e morëm nën menaxhim klubin e futbollit SC Gjilani. Që nga momenti i parë jam angazhuar që klubi të ketë një strukturë të qëndrueshme administrative dhe jam kujdesur maksimalisht që në aspektin financiar të mos ketë asnjë problem. Për këto 5 vjet e gjysmë kemi investuar një shumë të madhe të mjeteve financiare, e tëra pasuri familjare, duke sjellë në klub lojtarë për të cilët kemi menduar se mund të arrijmë synimet e përbashkëta që SC Gjilani të pozicionohet në mesin e klubeve më të suksesshme në Kosovë”, shton Zuka.
Në fund ai u ka bërë thirrje të gjithë atyre që e duan Gjilanin, të organizohen dhe të krijojnë një kryesi për të vazhduar rrugën e nisur drejt synimeve të mëdha.
“Ftojmë të gjithë sportdashësit, donatorët, përfaqësuesit e institucioneve komunale, dhe çdo person tjetër të interesuar që të japë kontributin e vet në krijimin e një kryesie të re në mënyrë që Gjilani të vazhdojë tutje drejt synimit të përbashkët, titullit kampion”, shkruan në fund të dorëheqjes së Zukës.
KOHA ka provuar të flasë me Zukën gjatë ditës së hënë, por ai nuk ka qenë i qasshëm.
Ndërkohë klubi i Gjilanit nuk ka reaguar fare pas dorëheqjes së Zukës. KOHA ka mësuar se të martën në mbrëmje do të mbahet një takim për të diskutuar dorëheqjen e kryetarit Zuka. Pavarësisht vendimit të tij të parevokueshëm për t’u larguar, te Gjilani ka shpresa se gjërat mund të rregullohen dhe Zuka të vazhdojë të jetë në krye të Gjilanit. Gjithçka do të vendoset të martën. Me Zukën si kryetar, Gjilani ka dalë një herë nënkampion i Kosovës dhe dy herë ka siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane.
Largimi i biznesmenit kosovar vjen pak ditë pas eliminimit të Gjilanit nga Liga e Konferencës. Gjilani e kishte fituar ndeshjen e parë ndaj Liepajas 1:0, por në duelin e kthimit në Letoni pësuan humbje 3:1 dhe u eliminua. Mënjanimi ndodhi në raundin e parë të Ligës së Konferencës, garës së tretë për nga niveli në Evropë.