Sport

Gjilani kërkon t’i revanshohet Feronikelit të motivuar

Fitorja minimale në mesjavë ndaj Llapit, që ishte e para për Feronikelin pas shtatë ndeshjeve, ka kthyer dukshëm besimin tek ekipi nga Drenasi që në duelin e radhës ndaj Gjilanit do të dalë në fushë i motivuar maksimalisht për fitore.

Në fakt, Nikli e nisi furishëm këtë edicion pasi në xhiron e parë triumfoi bindshëm ndaj Gjilanit (4:0) në shtëpi, përpara se të futej në serinë prej katër barazimeve e tri humbjeve. Tani ka ardhur koha për ndeshjen e dytë mes këtyre dy skuadrave, shkruan KOHA.

Me ndeshjet e këtij vikendi, që i takojnë xhiros së dhjetë, nis faza e dytë e garave në Superligën e Kosovës. Dueli mes Gjilanit dhe Feronikelit, do të zhvillohet të shtunën (sot) prej orës 13:30. Me fitoren e fundit, Feronikeli është ngritur në pozitën e tetë në tabelë me dhjetë pikë të mbledhura, gjashtë më pak se Gjilani që zë vendin e tretë.

“Fitorja e fundit ndaj Llapit ishte shumë e rëndësishme për ne pasi ka kthyer besimin dhe ka kthyer atmosferën të cilën e meriton ky ekip. Pra, pas një serie jo të mirë erdhi edhe fitorja që na ka motivuar maksimalisht për ndeshjen me Gjilanin që e luajmë në udhëtim dhe për të cilën jemi maksimalisht të përgatitur”, ka thënë mesfushori i Feronikelit, Argjend Malaj.

“Nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë, por synojmë të marrim një rezultat pozitiv pas lojës së mirë dhe fitores me Llapin. Jemi 100 për qind të fokusuar dhe besoj se me një angazhim maksimal do të arrijmë synimin tonë”.

Gjilani nuk di për humbje që nga xhiroja e parë. Nënkampioni në fuqi, në duelin kundër Feronikelit futet pas dy fitoreve rresht dhe kërkon të revanshohet për humbjen e thellë dhe të vetme në start të këtij sezoni. Te Gjilani besojnë se do të vazhdojnë me fitore edhe ndaj Feronikelit, ndonëse vlerësojnë se nuk do të jetë aspak lehtë.

“Normalisht, fitoret e fundit kanë kthyer qetësinë në ekip, kështu që ndaj Feronikelit do të futemi në fushë për të fituar edhe pse në futboll nuk ka asgjë të garantuar. Mirëpo, po kalojmë nëpër një moment të mirë, të cilin duam ta shfrytëzojmë edhe ndaj Feronikelit. Në këtë derbi duam të dëshmojmë se kemi ekip të mirë, por gjithashtu duhet të tregojmë kujdes për shkak se Feronikeli posedon një skuadër cilësore. Megjithatë luajmë në fushën tonë dhe besoj se do të shkojë gjithçka mirë”, ka theksuar mesfushori i Gjilanit, Besar Musolli.

Të shtunën (sot), krahas derbit në stadiumin e Gjilanit, do të luhen edhe dy ndeshje të tjera në kuadër të xhiros së dhjetë, që po ashtu startojnë në orën 13:30. Ballkani shihet si favorit ndaj Besës së Pejës, ekip të cilin në ndeshjen hapëse të këtij sezoni e pati mposhtur me rezultatin 4:1. Ballkani është lider i Superligës me 22 pikë të mbledhura pas nëntë xhirove derisa Besa zë vendin e fundit me pesë pikë, sa i ka edhe skuadra e Llapit që është e parafundit në tabelë. Ndërkohë, në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, skuadra e Arbërisë do të përballet me Trepçën ’89. Të dyja skuadrat kanë tubuar nga 11 pikë, por Arbëria në dy ndeshjet e fundit ka regjistruar po aq humbje derisa Trepça futet në këtë duel pas disfatës minimale që e pësoi në mesjavë nga Drenica.

Kjo xhiro do të mbyllet të dielën me dy ndeshjet që do të zhvillohen në Skenderaj, përkatësisht Podujevë. Skuadra e Drenicës e pret Prishtinën që ka pësuar humbje në dy ndeshjet e fundit – me Gjilanin e Ballkanin – derisa kampionia në fuqi, Drita do të jetë mysafire e Llapit. Llapi dhe Drita, do të përballen për herë të parë këtë edicion pasi ndeshja e xhiros së parë që është dashur të luhet në Gjilan nuk është zhvilluar ende për shkak të angazhimeve të ekipit nga Gjilani në kualifikimet e Ligës së Evropës. Drita i ka dy ndeshje të pazhvilluara kurse renditet e dyta në tabelë me 15 pikë të grumbulluara.