Sport

Gjilani ka mungesa, por kërkon fitoren në derbin e qytetit

Gjilani do të ketë katër mungesa të rëndësishme për ndeshjen derbi kundër Dritës. Për shkak të lëndimeve do të mungojnë Edison Kqiku, Dajan Shehi dhe Shend Kelmendi, kurse Eldonit Shaqiri është i suspenduar për shkak të kartonëve. Megjithatë, Oltion Bilalli, mbështetet në forcën e madhe të tifozëve, “Skifterave”, për ndeshjen e zjarrtë të derbit gjilanas.

Gjilani e Drita takohen të dielën nga ora 13:00 në fushën me terren sintetik në Gjilan.

Drita pas 15 ndeshjeve të luajtura ka 28 pikë në vendin e tretë, kurse Gjilani është i shtati me 17 pikë në 15 ndeshje.

Ndeshja i takon xhiros së 17-të të elitës së futbollit kosovar, ndërsa skuadrat kanë synime të kundërta. Drita lufton për titull kampioni, kurse Gjilani që e nisi me shumë vështirësi kampionatin, synon ngjitjen sa më lartë në tabelë.

“Do të jetë ndeshje e rëndësisë së veçantë pasi luhet edhe për tifozët. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë përballje edhe pse kemi mungesa të theksuara. Ne do të japim maksimumin nga vetja për këtë përballje, pasi kemi objektiva për të arritur. Presim edhe mbështetjen e madhe nga tifozët të cilët do të jenë prezent në këtë përballje”, ka thënë Oltion Bilalli të shtunën për KOHËN.

Drita nuk do ta ketë përkrahjen e “Intelektualëve” nga afër, por do të jetë e kompletuar sa i përket futbollistëve.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar të shtunën në konferencën për shtyp trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani.

Për Ramadanin do të jetë ndeshje e veçantë, pasi në të kaluarën e ka udhëhequr edhe Gjilanin.

“Shumë shpejt erdhi ky derbi dhe ne jemi profesionistë. Mendoj se duhet ta bëjmë më të mirën. Gjilani ka ekip të mirë dhe nuk është në pozitën tabelare me kualitetin që ka. Na pret një ndeshje mjaftë e vështirë, pasi derbit luhen për t’u fituar dhe nesër të arrijmë deri te goli. Pa marrë parasysh pozitës tabelare, bëhet fjalë për një derbi të zjarrtë ku mund të vendos një detaj. Shpresojmë që ai detaj të vijë, të vendosim ne dhe të marrim pikët e plota”, ka thënë trajneri Ramadani.

Në konferencën për shtyp te Drita ishte edhe mesfushori Blend Baftiu.

Baftiu ka thënë se atmosfera dhe motivi për fitore është i lartë te futbollistët e Dritës.

Derbin e parë të edicionit aktual e kishte fituar Drita, 2:0.

Gjilani do ta kërkojë revanshin, por edhe fitoren e parë në Superligë ndaj Dritës pas një kohe të gjatë.

Për herë të fundit, Gjilani mposhti Dritën në Superligë më 25 nëntor të vitit 2021.